Lidhje

Hajredin Kuçi – sërish në qeveri


Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi kishte ofruar dorëheqjen në shenjë mospajtimi me miratimin e Kodit Penal që përfshinte nene të diskutueshme për mediat


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, rifilloi punën në qeverinë e Kosovës, shtatëmbëdhjetë ditë pasi kishte ofruar dorëheqjen në shenjë mospajtimi me miratimin e Kodit Penal që përfshinte nene të diskutueshme që kanë të bëjnë me mediat.

Të martën paradite kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një komunikate njoftoi se “kishte shqyrtuar shkaqet e ofrimit të dorëheqjes së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, e ofruar me datën 22 qershor dhe konstatoi se shkaqet që kanë dërguar deri te dorëheqja tanimë nuk ekzistojnë”.

Më 5 korrik Parlamenti i Kosovës, hoqi nga Kodi Penal nenet e diskutueshme që kanë të bëjnë me mediat në Kosovë. Vendimi mori miratimin e 59 deputetëve, ndërsa vetëm dy ishin të paanshëm.

Kodi, i cili u ri procedua në Parlament, përfshinte nene në të cilat thuhej veç tjerash se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre të informimit për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Qeveria e Kosovës vendosi ta ri procedojë Kodin Penal pas reagimeve të ashpra që nxiti miratimi i tij në prill dhe refuzimi i Parlamentit në fillim të muajit qershor për të hequr nenet e diskutueshme.

Refuzimi i Parlamentit për ndryshime çoi në dorëheqjen e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, ndërsa nxiti reagime të ashpra të organizatave vendase e ndërkombëtare të gazetarëve.

Zoti Kuçi, shënoi rikthimin e tij me një takim me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit Xavier Bout de Marnhac, misioni i të cilit pret të ketë një kuadër të qëndrueshëm ligjor për vazhdimin e mandatit të tij edhe pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG