Lidhje

HRW e shqetësuar për lirinë e medias në Kosovë


Human Rights Watch
Human Rights Watch

HRW thotë se qeveria duhet të veprojë për të mbrojtur gazetarinë e pavarur. Parlamenti sot dështoi të rihapë çështjen e Kodit Penal.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës, që të ndërmarrin hapa për të mbrojtur lirinë e medias.

Kjo organizatë ka shprehur shqetësimin e saj se Kodi Penal i Kosovës, rrezikon lirinë e medias.

Parlamenti i Kosovës refuzoi që të heqë nga Kodi Penal, nenet që kriminalizojnë shpifjen dhe i detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre, me gjithë thirrjet nga qeveria, presidenca dhe komuniteti i gazetarëve që ato të largohen.

Në një komunikatë të Human Rights Watch, thuhet se “qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për kërcënimin që nenet po ia bëjnë lirisë së mediave, që pavarësisht kundërshtimit në masë të gjerë, mbijetuan në Kodin e ri Penal”.

Dështimi i Parlamentit për të zgjidhur çështjen e neneve të diskutueshme nënkupton se gazetarët që raportojnë mbi personalitetet publike ose korrupsionin, rrezikojnë të trajtohen si kriminelë. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për të mbrojtur lirinë e medias dhe gazetarinë e pavarur në Kosovë”, citohet të ketë thënë Lidia Gall, veprimtare e Human Rights Watch.

Vendimi i Parlamentit, nxiti shumë reagime, ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, paraqiti dorëheqjen e tij.

Situata e krijuar, bëri që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të paralajmërojë ri procedimin e Kodit Penal në Parlament, ndërsa shoqatat e gazetarëve thanë se do të kërkojnë edhe nga Gjykata Kushtetuese një opinion lidhur me këtë çështje.

Por, parlamenti dështoi sot sërish të heqë nga Kodi Penal nenet e diskutueshme.

Partia Demokratike e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi, hodhën sot propozimin që për futjen e Kodit Penal në rend dite në mbledhjen e sotme të parlamentit. Por, propozimi nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme, meqë një pjesë e deputetëve kërkoi që çështja të shtrohet në njërën nga seancat e radhës.
XS
SM
MD
LG