Lidhje

Kosovë: HRW: Të hetohen akuzat e Dik Martit


Kosovë: HRW: Të hetohen akuzat e Dik Martit

Kosovë: HRW: Të hetohen akuzat e Dik Martit

Organizata për të Drejtat e Njeriut Human Rights Watch, i ka cilësuar ta ngathëta hetimet për krime lufte dhe krim të organizuar në Kosovë ndërsa i ka bërë thirrje Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit që të hetojë akuzat për trafikim të mundshëm organesh njerëzore nga disa zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Këto komente janë bërë në raportin e kësaj organizate të publikuar sot, në të cilin thuhet mes tjerash se përpjekjet për integrimin e Ballkanit Perëndimor janë penguar nga problemet e vazhdueshme në fushën e të drejtave të njeriut. Në pjesën për Ballkanin, nënvizohen problemet me trajtimin e krimeve të luftës, trajtimit të pakicës rome, mungesës së përparimit në mbështetjen e refugjatëve, keqtrajtimin e gazetarëve dhe të drejtat e personave me nevoja të veçanta.

Në pjesën për Kosovën, thuhet mes tjerash, se hetimet dhe ndjekjet penale për krime lufte dhe krim të organizuar, vazhdojnë të mbeten të ngathëta dhe të paparashikueshme, me gjithë ndihmën që misioni evropian për policinë dhe drejtësinë ofron për të zhvilluar institucione të ligjshme dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. EULEX-i duhet që hollësisht t’i hetojë akuzat për rrëmbime, transferime në Shqipëri, ekzekutime dhe trafikim të mundshëm organesh nga disa zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç është përshkruar në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dik Marti. Në raportin e Human Rights Watch, i kërkohet EULEX-it që të emërojë një prokuror të posaçëm për të hetuar dhe që të rimëkëmbë programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Nuk ka pasur ndonjë koment nga zyrtarët e këtij misioni të cilët thonë se janë vënë në përpjekje për të filluar hetime rreth kësaj çështjeje, për çka gjatë javës së kaluar prokurorët e këtij misioni janë takuar edhe me kolegët e tyre në Tiranë. Javën e kaluar shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, tha se nuk ka nevojë për prokurorë shtesë, meqë misioni i EULEX-it tashmë ka prokurorë të pavarur që punojnë në rajon. Ajo ka theksuar se do të duheshin më shumë prova nga zoti Marty përpara se të ndërmerren hetime të reja.

Raporti i zotit Marty pritet të debatohet nesër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në prag të debatit kërkesa për hetime ka bërë edhe vet kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Muajin e kaluar, raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, nxiti reagime me zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore.

XS
SM
MD
LG