Lidhje

Kosovë: Identifikohen trupat e 18 personave të zhdukur gjatë luftës


Kosovë: Identifikohen trupat e 18 personave të zhdukur gjatë luftës

Kosovë: Identifikohen trupat e 18 personave të zhdukur gjatë luftës

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, Xavier Bout de Marnhac, tha se EULEX-i e trajton shumë seriozisht cështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe mbetet i përkushtuar për të mbështetur zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ai i ka bërë këto komente derisa zyrtarët e departamentit të mjekësisë ligjore po i dorëzonin një familjeje nga Kosova qendrore, trupat e tetëmbëdhjetë anëtarëve të saj të cilët ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Të gjithë ata ishin zhvarrosur në vitin 2004, ndërsa janë identifikuar nga ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it me anë të kombinimeve të ADN-së dhe analizave mjeko-ligjore antropologjike.

Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, shprehu përkushtimin e misionit të tij për ndricimin e fatit e të gjthë personave të zhdukur.

Çështja e personave të zhdukur është një çështje shumë e ndjeshme, kurse EULEX-i e trajton atë me seriozitet dhe është i përkushtuar që të kryejë detyrën e vet. Personeli ynë, i cili punon në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, është duke punuar shumë në këtë drejtim. Edhe njëherë dua të përsëris se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Qëllimi është që familjeve t’u kthehen trupat e më të dashurve të tyre, duke ditur se ata u zhdukën në rrethana tragjike dhe të rënda. EULEX-i mbetet shumë i përkushtuar që të ndihmojë, vëzhgojë dhe këshillojë, ekspertët vendës, në mënyrë që bashkërisht të arrijmë këtë synim”, tha zoti de Marnhac.

Ndërkaq, bashkëkryesuesi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Alan Robinson tha se procesi i ndricimit të fatit të personave të zhdukur varet edhe nga informacionet lidhur me vendavarrimet e mundshme ku mund të jenë lënë trupat e tyre. “Ne mund të gjejmë trupat e personave të zhdukur vetëm nëse kemi informata të mira dhe të besueshme që do të na mundësonin përmirësimin e kërkimeve”, tha zoti Robinson.

Trupat e 18 personave, që do të varrosen sot në fshatin Carrallukë të komunës së Malishevës në Kosovën qendrore, ishin pjesë e 250 trupave që gjenden në morgun e spitalit të Prishtinës, në proces të identifikimit.

Edhe dymbëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë, nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 800 personave, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës. Çështja e të zhdukurve pritet që të jetë pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që filluan një muaj më parë.

XS
SM
MD
LG