Lidhje

Teknologjia dhe ideologjitë ekstremiste në Kosovë


Që nga fillimi i luftës në Siri, vlerësohet se rreth 6 mijë luftëtarë nga Evropa mund t'u jenë bashkuar konflikteve në Lindje e Mesme. Prej tyre rreth 900 luftëtarë ishin nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën. Rekrutimi i tyre është bërë në rrugë e forma të ndryshme, ku një rol të veçantë kanë luajtur rrjetet sociale që vazhdojnë të përdoren si rrugë të shpërndarjes së ideologjive ekstremiste.

Teknologjia dhe ideologjitë ekstremiste në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:09 0:00

Në rrëfimet e luftëtarëve nga Kosova që kishin shkuar dhe qëndruar për një kohë në Siri, rrjetet sociale përvijohen si një nga rrugët e nxitjes së tyre dhe vendosjes së kontakteve që janë shfrytëzuar për të arritur atje. Në një bisedë më Zërin e Amerikës, njëri nga të kthyerit nga Siria thotë se interneti ishte dritarja nëpërmjet të cilit është frymëzuar t'i bashkohet luftës së atjeshme.

"Paraprakisht e bëja në plan me veten time, duke mos biseduar me dikë, se nuk e dija se me kënd mund të flas. Por, duke hulumtuar, duke këqyrë edhe video, i shihja ngjarjet e pranverës andej, çfarë ndodhte andej dhe rashë në kontakt në facebook me dikë atje. Dhe ai pak a shumë më tregonte se si të veproja".

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se koha e internetit që është i pazëvendësueshëm për zhvillimin e shoqërive bashkëkohore, ka edhe pasoja anësore negative, përfshirë edhe përhapjen e ideologjisë ekstremiste.

"Shfrytëzimi i medieve sociale, facebookut instagramit, twitterit, i shumë e shumë medieve të tjera sociale për qëllime qoftë të indoktrinimit është mundësi fantastike dhe shpejtësia është marramendëse e indoktrinimit, krahasuar me para 30-40 vjetësh kur nuk ka pasur internet fare".

Valon Canhasi ekspert i rrjeteve sociale, thotë se përhapja e këtyre rrjeteve ka krijuar hapësirë edhe për përhapjen e propagandës.

"Fatkeqësisht ne e kemi parë këtu të ne, para disa vitesh kur e kemi parë sa njeriu ka shkuar për të luftuar në Siri ose sa ka pasur akuza në atë drejtim, e shohim se shumë lehtë kanë mundur të ndikohen nga platformat sociale, sidomos, youtube, duke parë video, duke parë njerëz dhe duke ju përgjigjur thirrjeve të tyre".

Ai thotë se përndjekja e përhapësve të ideologjisë është punë e vështirë.

"Këtë të keqe e ka interneti. Ti mund të bëhesh gjithkushi dhe nuk ke nevojë të kesh verifikim. Domethënë, me qelë llogari, të duhet një email adresë, me e hapë një email, nuk të duhet asgjë. Domethënë është shumë lehtë, pa kurrfarë verifikimi me e hapë llogarinë dhe ta prezantosh veten si dikush tjetër që vërtetë nuk je".

Zoti Canhasi thotë se grupet e caktuara përdorin edhe kanale tjera si Viber, Whatsapp, e rrugë të tjera më të vështira për t'u përndjekur.

"Anglisht i thonë 'dark web', pra po komunikojnë nëpërmjet kanaleve tjera ku qasje kanë grupe të caktuara dhe po e përdorin propagandën digjitale për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje"

Grupmoshat që goditen më së shumti janë ato ndërmjet 18 dhe 35 vjeç që kryesisht kanë qasje më të madhe ne facebook dhe instagram. Shtrirja e internetit përfshinë 82 për qind të territorit të Kosovës.

Një grup teologësh, imamësh dhe profesorësh të shkencave islame, tashmë drejtojnë një faqe interneti me emrin Foltash, që synon siç thuhet, ruajtjen e islamit burimor dhe përballjen me ekstremizmin e dhunshëm. Bekim Jashari udhëheqës i portalit Foltash tha se fillimisht janë bërë postime në rrjetet sociale të artikujve mbi islamin paqësor dhe rreziqet nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi si dhe janë shpërndarë broshura me thirrjet për të mos ju bashkuar ideologjive ekstremiste.

"Në këtë vit kemi filluar me video-mesazhe, pastaj kemi vendosur billborde në kryeqytetin e Republikës, që ju bëjnë thirrje qytetarëve që të kujdesen dhe të kontribuojnë për familjet e tyre dhe vendin tonë, sepse kemi detyrë që të punojmë e të shërbejmë. Duke ruajtur familjet tona, ne e ruajmë vendin tonë dhe e ruajmë të ardhmen tonë. Pra kemi filluar me video mesazhe dhe në muajin janar tashmë kemi pasqyruar disa personalitete shqiptare, hoxhallarë të cilët gjatë historisë i shërbyen atdheut dhe me këtë kemi dashur të çojmë mesazhin tek të gjithë që të ndjekin rrugën e mësuesve tanë shqiptarë, është fjala mësuesve të fesë, sepse kemi modele shumë të shkëlqyera nga mësuesit tanë fetar të mëparshëm, nga hoxhallarët tanë"

Ai thotë se ende ka përpjekje për të nxitur përfshirjen e qytetarëve në luftërat e huaja, megjithëse thekson se situata është më e mirë sesa në të kaluarën. Ai thotë se veprimtaria e tyre përballet edhe me përpjekje për t'u penguar.

"Është ajo propaganda e tyre se 'ju po e luftoni islamin'. Në realitet ne jemi studiues të islamit dhe ne i kemi shërbyer islamit. Por ne i shërbejmë sepse islami është shumë i mirë kur islami shpjegohet shqip".

Ai thotë se përpjekjet e tyre janë përqendruar për të mbrojtur besimin islam nga e keqja që ka sjellë ekstremizmi i dhunshëm.

"Shikoje botën, veçanërisht Lindjen e Mesme se çfarë kanë bërë këta dhe më gjej vetëm një fshat ku organizata terroriste ISIS e kontrollon dhe aty ka rehati? Nuk ka rehati. Nuk ka fshat, nuk ka lagje që këta e kanë nën kontroll e aty të mos ketë dhunë, vrasje, djegie etj. Dhe ne po duhet të merremi me këtë që t'u themi njerëzve se islami fton në paqe, islami garanton të drejtën e besimit. Njeriu është i lirë të besojë apo të mos besojë dhe çmon e respekton fuqishëm besimet tjera, pa marrë parasysh se çfarë besimi janë. Ne po e themi atë që është në Kuran".

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Afro 60 veta kane humbur jetën, ndërsa rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Mbi 40 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

XS
SM
MD
LG