Lidhje

Shpërthim në veri të Mitrovicës


Policia tha se shpërthimi, pa pasoja në njerëz, ndodhi në hyrje të një restoranti, pronë e një qytetari serb

Policia e Kosovës bëri të ditur se një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës, por pa pasoja në njerëz. Sipas policisë shpërthimi ka ndodhur në hyrje të një restoranti, pronë e një qytetari të përkatësisë kombëtare serbe, duke shkaktuar dëme materiale. Policia beson se mjeti shpërthyes ishte granatë dore, ndërsa rastin po e trajton si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Tash për tash nuk dihet asgjë për shkaqet, motivet apo autorët e mundshëm të këtij shpërthimi.
Përfaqësues të serbëve në veri thanë se shpërthimi mund të jetë pjesë e përpjekjeve për të frikësuar pjesëtarët e këtij komuniteti.



Më herët gjatë mbrëmjes së kaluar, dy të rinj të përkatësisë kombëtare shqiptare janë sulmuar fizikisht nga një grup serbësh në veri. Sipas policisë, njëri nga të sulmuarit ka pësuar plagë të rënda nga goditjet dhe po trajtohet në spitalin e Prishtinës. Nuk ka pasur ndonjë të arrestuar lidhur me këtë ngjarje.

Incidentet e mbrëmshme pasuan një incident tjetër në veri të Mitrovicës në natën ndërmjet të dielës dhe të hënës, kur një makinë, pronë e një qytetari serb, u dogj në rrethana të pasqaruara. Rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, por nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth tij, ndonëse, mësohet se makina është pronë e një punonjësi të zyrës administrative për veriun e Mitrovicës, të themeluar nga qeveria e Kosovës.
XS
SM
MD
LG