Lidhje

Hoxhaj: Në Serbi është rikthyer nacionalizmi i viteve 90-të


Ministri Hoxhaj: Zhvillimet në Serbi - një alarm për rishqyrtimin e politikave perëndimore ndaj saj

Ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se Serbia me pushtetin e ri, është kthyer në një rrugë jo evropiane. Sipas tij, është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojnë trysni ndaj Beogradit për të tërhequr strukturat e saj të paligjshme të sigurisë nga veriu i Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ministri Hoxhaj tha se nuk do të ketë bisedime me Serbinë, përderisa nuk zbatohen marrëveshjet e arritura në takimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, Serbia filloi procesin e krijimit të qeverisë së re dhe mandatin e mori shefi i socialistëve serbë, Ivica Daçiç. Çfarë domethënie ka kjo për Kosovën?

Enver Hoxhaj: Pa dyshim janë zhvillime interesante që sjellin shqetësim në tërë rajonin e Ballkanit, jo vetëm në Republikën ë Kosovës. Unë i kisha përmendur tri arsyet e para. E kaluara e tij. Do të thotë ai ka qenë protagonist në zhvillime jo të lavdishme për këtë pjesë të Evropës. Ka qenë zëdhënës i një regjimi i cili ka bërë krime luftës në Kosovë, krime në Bosnjë, në Kroaci. Së dyti, koha dhe dita e cila është zgjedhë që të formohet qeveria, do të thotë një qeveri e Vidovdanit dhe ky është një mesazh shumë i keq për Republikën e Kosovës dhe vendet fqinje të Serbisë. Dhe së treti, deklaratat e tij të para se do të bëjë përpjekje që të rikthejë forcat serbe në Kosovë, janë pa dyshim deklarata, mesazhe të cilat edhe në Prishtinë edhe në Sarajevë edhe në Podgoricë edhe në Shkup edhe në Zagreb, shihen me shqetësime të caktuara. Të gjitha këto flasin për atë që Serbia është kthyer në një rrugë antievropiane dhe askush më mirë sesa qytetarët e Kosovës, të Bosnjës, të Kroacisë, nuk e dinë se çka nënkupton një Serbi antievropiane. Prandaj, mendoj që është përgjegjësi e Brukselit dhe partnerëve perëndimorë që të jenë të qartë, të prerë, sa i takon qëndrimit që duhet të mbajnë ndaj një qeverie që mund të formohet së shpejti në Beograd.



Zëri i Amerikës: Si mund të vazhdojnë proceset e deritashme politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një qeveri të tillë?

Enver Hoxhaj: Qëndrimi jonë para se të formohet kjo qeveri, ka qenë dhe mbetet që Republika e Kosovës është e interesuar që t’i normalizojë relacionet e saj me Republikën e Serbisë, por në asnjë formë normalizimi i relacioneve nuk duhet të nënkuptojë një dominim të Serbisë ndaj Kosovës, ose një rikthim të hegjemonisë serbe mbi Kosovën, ose mbi vende tjera të rajonit. Ne e dimë që nga marsi i vitit 2011 deri në mars të vitit 2012, ka pasur nëntë raunde të takimeve në Bruksel dhe janë arritur shtatë marrëveshje. Qëndrimi ynë është që këto marrëveshje duhet të jetësohen. Marrëveshjet që mbesin në letër nuk kanë asnjë vlerë. Andaj vetëm implementimi i tyre, jetësimi i tyre mund t’i ndryshojë realitetet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe një qëndrim të tillë edhe kryeministri Thaçi ja ka përcjellë ndërmjetësit evropian Robert Cooper. Nuk do të ketë takime të tjera të radhës, nëse marrëveshjet që janë arritur nuk zbatohen. Sidomos, nëse kemi parasysh një marrëveshje shumë të rëndësishme për Kosovën, si marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit. Ka qenë pikërisht Daçiç, në pozitën e ministrit të brendshëm që nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë, një qeveri e cila nuk e ka ratifikuar një marrëveshje të tillë. Si dhe të gjitha keqkuptimet që janë krijuar dhe të gjitha bllokadat që i ka krijuar Serbia me mos implementimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal. Ne e dimë, që, nëse e bëjmë një analizë të shpejtë të qëndrimit të Serbisë karshi marrëveshjeve ndërkombëtare, në këto 13 vitet e fundit kemi pasur një situatë kur Serbia ose nuk i ka pranuar marrëveshjet, ose nëse i ka pranuar marrëveshjet, atëherë ka ndërmarrë të gjitha masat që ta minojë jetësimin e tyre dhe qëndrimi ynë është shumë i qartë: duhet thjeshtë të jetësohen marrëveshjet.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër moszbatimi i marrëveshjeve posaçërisht vërehet në veriun e Kosovës, një nga temat më të diskutueshme edhe në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur kërkesa edhe për mundësinë e një procesi të veçantë të bisedimeve për veriun. Cili është qëndrimi dhe mendimi juaj?

Enver Hoxhaj: Ne nga fillimi, si qeveri e Republikës së Kosovës, kemi bërë përpjekje maksimale që ta integrojmë komunitetin serb në institucionet e nivelit lokal dhe qendror. Kosova sot është një shtet shumetnik, një shoqëri shumë diverse dhe një shtet shumë funksional. Pjesëmarrja e komunitetit serb në të gjitha institucionet e Kosovës është një storie e suksesit. Ka pasur të tillë që në vitin 2006, 2007, 2008 edhe pas shpalljes së pavarësisë, në qendrat e ndryshme perëndimore, nuk kanë besuar që Republika e Kosovës do të jetë në gjendje të integrojë komunitetin serb. Sot kemi dëshmi konkrete në Parlamentin e Kosovës, në qeverinë e Kosovës, në agjencitë e tjera publike, me krijimin e gjashtë komunave të reja. Prandaj, qasja jonë është, sikurse ka ndodhur integrimi i një shumice të madhe serbe, pothuaj 100 mijë serbë, një model të tillë duhet ta ndjekim edhe në veri të Kosovës. Sa herë flasim për veriun e Kosovës, këtu është fjala për tri komuna e gjysmë të territorit të Kosovës. Kështu që implementimi i pakos së (Martti) Ahtisaarit, përmes një dialogu internal në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve në veri, duhet ta integrojë këtë pjesë të Kosovës me Kosovën unike.

Zëri i Amerikës: Por, zoti ministër, plani i Ahtisaarit dhe asnjë veprim i institucioneve të Prishtinës nuk pranohet në atë pjesë. Si të binden ata njerëz që të pranojë diçka që nuk e kanë pranuar tashmë katër vjet më radhë, madje edhe më gjatë?

Enver Hoxhaj: Mendoj që bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe BE, duhet të ushtrojnë presionin e fundit që Serbia të tërheqë njësitë e saj ilegale të policisë, sigurisë, formacionet paramilitare. Prandaj, është koha e fundit që tash, sidomos me zgjedhjen e (Tomislav) Nikoliçit president, me mandatimin e Daçiçit për kryeministër të Serbisë, të cilët kanë përgjegjësi direkte në këtë pjesë të territorit të Republikës, që presioni ndërkombëtarë të bëjë që të tërhiqen këto forca policore ilegale, formacione paramilitare nga kjo pjesë e Kosovës. Pa largimin e tyre, kuptohet që është i pamundur integrimi, meqë janë këta që e kanë marrë peng popullatën në veri të Kosovës. Janë këto forca që për 13 vite kanë pamundësuar një pjesëmarrje demokratike të komunitetit serb në institucionet e Kosovës dhe është i vetmi kënd i Evropës në të cilin për 13 vite nuk ka pasur zgjedhje të lira. Prandaj përgjegjësia direkte tash është tek presidenti Nikoliç dhe tek mandatari Daçiç për largimin e këtyre forcave nga veriu i Kosovës. Integrimi, mandej i komunitetit serb, është i mundur.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka një vullnet për një trysni aq të fuqishme mbi Beogradin, duke pasur parasysh synimin e BE-së për të joshur sa më shumë Serbinë që të mos heqë dorë nga orientimi evropian?

Enver Hoxhaj: Mendoj që ajo çfarë ka ndodhë në 12 vitet e fundit në Serbi, nga largimi i (Slobodan) Milosheviçit në tetor të vitit 2000 dhe nga zgjedhjet e majit të vitit 2012, çdokënd në çdo qendër të rëndësishme perëndimore duhet ta nxisin të mendojnë dhe ta kuptojnë në thellësi se çfarë ka ndodhë me jetën politike serbe, me kulturën politike serbe, sa ka mundur realisht që Serbia të demokratizohet. Prej tetorit të viti 2000 deri në maj të vitit 2012, ne kemi menduar se Serbia po demokratizohet, po krijohet një shoqëri e hapur, po lëvizë drejt një agjende evropiane. Mirëpo, zgjedhjet e majit të vitit 2012, kanë treguar që në Serbi ka ndodhur një ndryshim, por ndryshimi ka një emër të përbashkët, është rikthimi i nacionalizmit të viteve të 90-ta. Prandaj, unë mendoj që Uashingtoni zyrtar edhe Brukseli zyrtar edhe qendrat e tjera vendosëse, në interes të paqes, të stabilitetit, të sigurisë, duhet në çdo formë të ushtrojnë trysni mbi Beogradin për largimin e formacioneve të policisë ilegale, të forcave paramilitare bë veri të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë, Serbia duhet ta kuptojë pas 20 vitesh, se fati i popullit serb është brenda kufijve të saj, nuk është jashtë kufijve të saj. Serbia duhet të kuptojë që pas 20 vitesh nuk mund ta definojë interesin nacional edhe më tutje në kuptimin e territorit, por duhet ta definojë atë në kuptimin e integrimit politik, të zhvillimit ekonomik. Prandaj, sa më të qarta janë mesazhet, sa më të mirëfillta janë standardet që duhet t’i jetësojë Serbia, do të jetë në interes të Serbisë, do të jetë në interes të vendeve të rajonit. Kështu që, zgjedhjet e fundit dhe rezultati fundit i zgjedhjeve në Serbi, duhet të shihen si një alarm për rishqyrtimin e politikave që janë ndjekur karshi Serbisë këto 12 vitet e fundit.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi pak fushë suaj të punës. Sa vende e kanë njohur saktësisht Kosovën deri tash?

Enver Hoxhaj: Republika e Kosovës, ka një gjeografi globale të njohjes, do të thotë, është njohur nga shumë pjesë të botës, janë pjesa më e zhvilluar, më demokratike e botës që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Procesi i njohjes, që ka qenë një proces i suksesshëm, ka ndodhur falë mbështetjes që kemi pasur edhe nga Uashingtoni edhe nga Londra edhe nga Berlini edhe nga Parisi edhe nga Roma, por edhe nga shumë qendra të tjera. Deri më tash Republika e Kosovës, është njohur nga 91 shtete dhe këto janë të listuara edhe në listën e MPJ-së. Unë kam lëvizë gjatë vitit 2012, kamë qenë dy herë në Azi, kam qenë tri herë në Amerikën Latine, dy herë në Lindjen e mesme dhe shpresojmë që gjatë këtij viti, më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së do ta njohin zyrtarisht dhe formalisht Republikën e Kosovës. Ajo që ka ndodhur në këto pesë vitet e Kosovës së pavarur është dëshmuar që askush nuk mund të ndalë rrjedhën e historisë, askush nuk mund të ndalë përmbylljen e njohjes së plotë të Republikës së Kosovës. Dhe këto procese kanë ndodhë edhe falë punës që kanë bërë institucionet e Kosovës, por edhe falë mbështetjes që kemi pasur nga partnerët tanë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Por, zoti ministër, kritikët thonë se ka një ngecje në numrin e njohjeve dhe politiken e jashtme të Kosovës. Si i shihni këto shqetësime zoti ministër?

Enver Hoxhaj: Kuptohet që në mes të valës së madhe të njohjes në vitin 2008 dhe 2009 dhe asaj se çfarë ndodhë tash në vitin 2012, ka një ndryshim kualitativ, meqë shtetet partnere që kanë kontribuar në lirinë, në pavarësinë dhe në demokratizimin e shoqërisë në Kosovë, janë ndër shtetet e para që në mënyrë automatike e njohën në atë kohë Republikën e Kosovës. Ndërsa, është parë edhe nga viti i kaluar edhe nga ky vit që procesi i njohjes po rrjedh. Do të ketë disa shtete që do ta njohin Republikën e Kosovës. Për neve është kyc, jo vetëm që ta rrisim numrin e shteteve që e njohin Kosovën, por për neve është kyç që me pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të kemi bashkëpunim institucional. Unë mund të them për herë të parë për ju se kemi bashkëpunim institucional me Greqinë, me Sllovakinë, përkundër asaj që këto vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kontaktet tona janë në nivel të ministrave të punëve të jashtme. Kemi pasur takime vitin e kaluar me ministrat e punëve të jashtme të Spanjës, kontakte edhe me Rumaninë, përderisa Qiproja është më hezituese ndaj pavarësisë së Kosovës. Do të thotë, përmbyllja e njohjes së plotë të Republikës së Kosovës, ndërtimi i një partneriteti strategjik me vendet anëtare të BE-së, me institucionet në Bruksel, është kyç për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe kjo gjë ndodhë me një agjendë të qartë dhe me një strategji që ne e kemi miratuar vitin e kaluar në qeverinë e Kosovës, që ka të bëjë më shtimin e numrit të njohjeve.

Zëri i Amerikës: Por, zbatimi i kësaj strategjie është thënë se pengohet edhe nga shumësia e adresave të politikës së jashtme të Kosovës. A ka përplasje në këto adresa?

Enver Hoxhaj: Qëndrimi im është ky. Kosova duhet të ketë më shumë njerëz që involvohen në politikën e jashtme sa kemi aktualisht. Shumësia e njerëzve në politikën në jashtme, sjell dinamikë dhe nuk është një pengesë. MPJ ka një kapacitet të kufizuar edhe për nga numri i ambasadave, por edhe për nga numri i stafit që kemi këtu, përderisa ne e dimë që vendet tradicionale perëndimore që ushtrojnë një diplomaci aktive, përveç që kanë njerëz të emëruar në pozitat e ministrit, zv/kryeministrit, të presidentit, të kryeministrit dhe të tjerëve, të ambasadorëve, kanë edhe të ngarkuar të posaçëm, kanë emisar të veçantë. Përdorin lidhje të miqësisë, njerëz nga shoqëria civile, nga biznesi, sportistë. Të gjithë sot mund të involvohen dhe mund të kontribuojnë në diplomaci. Ne kemi bërë përpjekje që t’i shfrytëzojmë këto kapacitete, kështu që nuk ka një mungesë të koordinimit, përkundrazi, kemi nevojë për më shumë dinamikë, më shumë përfaqësim. Republika e Kosovës, në fazën në të cilën është, ka nevojë të jetë e pranishme në çdo kënd të botës, në çdo qosh të botës, sepse ndonjëherë edhe prania jonë fizike, është mesazh se Republika e Kosovës është pjesë e peizazhit të shteteve të pavarura të Ballkanit dhe Evropës perëndimore.
XS
SM
MD
LG