Lidhje

Kosovë: Jo veprimtari për 1 majin, për shkak të rrethanave në vend


Ndryshe nga shumë vende të botës, një maji, dita e punëtorëve që është përfshirë në kalendarin e festave shtetërore të Kosovës po kalon pa ndonjë veprimtari të veçuar sindikaliste, por me konstatimet se vendi është ende në gjendje jo të mirë ekonomike dhe ende larg mundësive për të krijuar mjaft vende pune.

Kësaj radhe sindikalistët kanë vendosur që të mos organizojnë ndonjë shprehje publike të pakënaqësisë, që sipas kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës Haxhi Arifi, për shkak të rrethanave me të cilat po përballet shteti i Kosovës.

“Ne tani për këtë maj nuk e kemi organizuar protestën për shkak se rrethanat e ndryshme këtë vit që po kalon shteti ynë, janë ato të cilat janë diskutuar në kryesinë ekzekutive të Bashkimit të Sindikatave, pasi që për ne si BSPK në rend të parë është shteti, pastaj vijnë këto të tjerat, se nëse kemi një shtet stabil, e kemi një shtet që ekonomikisht është duke u forcuar, unë mendoj se do ta kemi edhe një jetë më të mirë por do ta kemi edhe një organizim më të mirë”, tha zoti Arifi.

Por, me një vendim të tillë nuk janë pajtuar Lëvizja Studentore për Barazi-Studim e kritikë, të cilët nëpërmjet një aksioni e kanë kritikuar vendimin e Sindikatave për mos organizimin e protestave. Teutë Rusta nga kjo lëvizje thotë se situata politike nuk është arsyetim për të mos protestuar, pasi që sipas saj vet gjendja e punëtorëve dhe e punë kërkuesve është çështje politike.

“Çdo ditë e më shumë po thellohet gjendja e rëndë e punëtorit prandaj po shtohet nevoja për mobilizim dhe për organizim, përgjegjësi kjo e BSPK-së. Bashkimi i Sindikatave nëse nuk mundet ta bëjë këtë punë atëherë le të hapë rrugë për ata që duan dhe munden. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës me këtë qëndrim po i kryen punë pushtetit e jo qytetarëve për çka edhe ekzistojnë”, tha ajo.

Por, zoti Arifi nuk përjashton që brenda këtij muaji të protestohet.

“Por kemi ardhur në përfundim me të gjithë kryetarët e degëve, se ka vend për një protestë sepse kërkesat janë të tilla, por njëkohësisht këto kërkesa do të veçohen nga ato të viteve të kaluara sepse tani është infrastruktura ligjore dhe kërkojmë implementimin e atyre ligjeve, hapja e vend punimeve për të rinjtë, që është edhe preokupimi më i madh i yni”, tha zoti Arifi.

Çdo vit, rreth 20 mijë njerëz të rinj hyjnë në tregun e punës në Kosovë dhe me gjithë rritjen ekonomike, nuk është e mjaftueshme për Kosovën që të jetë në gjendje të absorbojë jo vetëm ata që tashmë janë të papunë, por edhe ata që hyjnë në tregun e punës.

Autoritetet thonë se vendi ka shënuar një rritje ekonomike prej pesë për qind, por ekspertët e ekonomisë thonë se kjo nuk mjafton për përmirësimin e gjendjes sociale dhe zvogëlimin e papunësisë që përfshinë gati gjysmën e popullsisë. Ekspertët thonë se për të përmirësuar këtë gjendje, shtetit të ri i duhet të paktën dyfishi i rritjes ekonomike.

XS
SM
MD
LG