Lidhje

Kosovë: Themelohet Këshilli Kombëtar kundër korrupsionit


Kosovë: Themelohet Këshilli Kombëtar kundër korrupsionit
Kosovë: Themelohet Këshilli Kombëtar kundër korrupsionit

Me nismën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, sot në Prishtinë është themeluar Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit. Kjo nismë që paralajmëruar në dhjetor të vitit që lamë pas dhe sipas presidentes Jahjaga ai do të ketë rol bashkërendues në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo u zotua se do të ndërmarr çdo veprim kushtetues dhe ligjor që shton efikasitetin e punës së institucioneve, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve për ndihmesë konkrete në luftën kundër korrupsionit.

“Neve nuk na lejohet dështimi. Këtë nuk na e lejojnë qytetarët e Kosovës, këtë nuk na e lejojnë miqtë tanë ndërkombëtar që presin shumë dhe që i kanë dhënë përkrahje pa rezervë kësaj nisme. Qytetarët presin që shteti të jetë në shërbim të tyre, që ne të jemi në shërbim të tyre. Qytetarët presin që të qeverisim me duar të pastra, qytetarët presin që plotësisht ta realizojmë parimin askush mbi ligjin, zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit”, tha presidentja Jahjaga.

Ndërkaq, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tërhoqi vërejtjen se lufta kundër dukurive negative ishte e pamjaftueshme.

“Shoqëria kosovare dhe institucionet e saj gjatë këtyre viteve nuk kanë arrit ta luftojnë në shkallën e duhur asnjë formë të krimit të organizuar. Nuk është vetëm korrupsioni në shoqërinë e Kosovës që është duke e penguar zhvillimin demokratik dhe ekonomik të këtij vendi, por edhe mos luftimi i krimeve të ndryshme të organizuara të sferës politike dhe ekonomike realisht është duke e penguar shtetin tonë që të ec në rrugën e demokratizimin, zhvillimit dhe integrimit”, tha krye parlamentari Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se themelimi i këtij këshilli është një mesazh i qartë i vazhdimit të betejës kundër krimit dhe korrupsionit dhe vendosjes së sundimit të ligjit në tërë Kosovën.

“Ne nuk do të lejojmë që asnjë pjesë e Republikës së Kosovës të shëndrohet në oazë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kontrabandës. Është detyrë dhe obligim i të gjithëve të sigurojmë, sidomos në veriun e Kosovës që qytetarët e atjeshëm që duan të respektojnë ligjin dhe të jetojnë të lirë nga këto fenomene negative”, tha kryeministri Thaçi.

Këshilli Kombëtar Kundër korrupsionit është themeluar me dekret të veçantë të presidentes Jahjaga dhe ai do të shfuqizohet në momentin që konsiderohet se janë arritur rezultatet e mjaftueshme. Këshilli nuk është trup ekzekutiv, por synon siç thuhet të bashkërendojë veprimet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe do të identifikojë dhe bashkërendojë veprimet në përkrahje të zbatimit të strategjisë kombëtare në luftën kundër korrupsioni.

Në raportin e fundit të Transparency International, Kosova radhitet e fundit në rajon me shkallën e korrupsionit. Ajo ndodhet në vendin e 112 me një notë prej 2.9 në një vlerësim që fillon nga zero deri në dhjetë. Analistët thonë se Kosova ka një legjislacion të mirë për luftën kundër korrupsionit, por ngecjet janë në zbatimin e tij.

XS
SM
MD
LG