Lidhje

Drews: Barrikadat janë simbol i ndarjeve


Erhard Drews dhe Avni Kastrati

Erhard Drews dhe Avni Kastrati

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, tha në Mitrovicë se barrikadat janë simbol i ndarjeve në një qytet që mund të bashkëjetojë.

Komandanti i forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, gjenerali gjerman Erhard Drews, tha sot në Mitrovicë se barrikadat janë në kundërshtim me parimet e lëvizjes së lirë dhe ato duhet të mënjanohen sa më parë.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në komunën e Mitrovicës, në pjesën jugore të qytetit, ku me kryetarin e saj, Avni Kastrati, diskutuan për situatën në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe dhe sfidat për lirinë e lëvizjes.

Në korrik të vitit të kaluar serbët lokal ngritën barrikada ne rrugët kryesore për të penguar shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në zonë. Ndonëse një pjesë e madhe e barrikadave tashmë janë larguar, barrikada mbi urën kryesore mbi lumin Ibër vazhdon të mbetet aty.



Natyrisht që e ndjej edhe si turp këtë barrikadë. Jo që e pengon lirinë e lëvizjes, por ajo barrikadë e paraqet edhe simbolin e ndarjes së një qyteti, i cili në fakt nuk është i ndarë dhe mund të bashkëjetojë”, tha gjenerali Drews, duke nën vizuar se barrikadat bien ndesh edhe me parimin kryesor të Bashkimit Evropian, që është lëvizja e lirë.

Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit që të gjejnë zgjidhje për probleme të tilla dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tash në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Shpresoj që të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tani dhe nuk e shoh të logjikshme që të presim diçka prej marrëveshjeve të reja kur e dimë që marrëveshjet paraprake nuk janë zbatuar fare”, tha gjenerali gjerman, forcat e të cilit ditëve të fundit kanë mbyllur disa nga rrugët alternative në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë, për të penguar trafikun e paligjshëm të mallrave.

Veriu vazhdon të jetë sfida kryesore e mekanizmave vendas e ndërkombëtarë, ndërsa ditëve të fundit janë shtuar debatet për mundësinë e një serie të re bisedimesh politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Vjeshta e këtij viti mund të jetë stinë e këtyre bisedimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG