Lidhje

Kosovë: Konfirmohet akuza ndaj pesë personave të përfshirë në trafikim organesh


Kosovë: Konfirmohet akuza ndaj pesë personave të përfshirë në trafikim organesh

Kosovë: Konfirmohet akuza ndaj pesë personave të përfshirë në trafikim organesh

Një gjykatë në Prishtinë e mbikëyqyrur nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, konfirmoi akuzën ndaj pesë personave të përfshirë në rastin e njohur si “Medicus”, që ka të bëjë me përfshirje në trafikim të organeve njerëzore.

Një trup i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, ka konfirmuar se të pandehurit do të përballen me akuza të trafikimit të personave me qëllim të heqjes së organeve, të krimit të organizuar, ushtrimit të paligjshëm të veprimtarive mjekësore dhe shpërdorimit të pozitës zyrtare.

Dy të akuzuar të tjerë ndodhen në arrati.

Sipas akuzës së paraqitur vitin e kaluar nga prokurorët e EULEX-it, të akuzuarit kanë qenë të përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.

Akuzat për trafikimin e organeve, kanë të bëjnë me zhvillimet në një klinikë private në Prishtinë në vitin 2008. Një transplantim i paligjshëm i një veshke që ishte kryer në atë klinikë private atë vit, kishte çuar në arrestimin e tre udhëheqësve të asaj klinike si dhe në pezullimin nga puna të një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë.

Hetimet e policisë atëbotë kishin zbuluar se një shtetas turk kishte dhuruar një veshkë, e cila ishte pranuar nga një shtetas izraelit. Më pas të arrestuarit ishin liruar, ndërsa hetimet kishin vazhduar nga EULEX-i.

Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private.

XS
SM
MD
LG