Lidhje

Kosova dhe ndryshimi i Kodit Penal

  • Leonat Shehu

Kryesia e Parlamentit të Kosovës

Kryesia e Parlamentit të Kosovës

Kodi aktual i bënë gazetarët “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre të informimit.


Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha sot se ka disa rrugë për tejkalimin e situatës së krijuar pas vendimit të së premtes të Parlamentit për të lënë në fuqi Kodin penal të Kosovës, që përmban disa nene të diskutueshme që kanë të bëjnë me mediat.

Kodi i miratuar më 20 prill, përfshinë nene në të cilat thuhet veç tjerash se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre të informimit për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Parlamenti refuzoi të miratojë kërkesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për ndryshimin apo heqjen e këtyre neneve. Vendimi i tillë nxiti shumë reagime, ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, paraqiti dorëheqjen e tij.

Kryetari i Parlamentit, e cilësoi dorëheqjen si hap të ngutshëm.

Institucionet janë te ndara. Parlamenti është një institucion në veti dhe vendimet e parlamentit janë te tij, të shumicës së deputetëve. Qeveria dhe qeveritarët do të duheshin të kenë përgjegjësinë për vendimet ose mosveprimin në kuadër të qeverisë. Në fund të fundit ligji ka ardhur nga qeveria”, tha zoti Krasniqi.

Situata e krijuar, bëri që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të paralajmërojë ri procedimin e Kodit Penal në Parlament. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Adem, Grabovci tha se për këtë arsye, ky grup ka hequr dorë nga propozimi për riformulimin e neneve të diskutueshme.

Pas vendimit të qeverisë, neve na është krijuar një realitet i ri dhe ne sot kemi kërkuar që kërkesa jonë të tërhiqet pasi që vendimi i qeverisë është që Kodi të kthehet në Parlament”, tha zoti Grabovci.

Partitë opozitare i kritikuan veprimet e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila siç thuhet, ka përgjegjësinë për zhvillimet e fundit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se partia e tij do të mbështesë kërkesat e komunitetit të gazetarëve në çdo veprim për ndryshimin e Kodit Penal.



Kemi qenë dhe do të mbetemi përsëri që nëse në procedurat e mëtejmë vjen deri te rikthimi i Kodit në Parlament, ne si grup parlamentar i LDK-së do të kemi të njëjtin qëndrim, do të thotë që ky Kod të votohet pa këto tri nene”, tha zoti Beqiri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se veprimet e fundit, janë, siç u shpreh ai, lojë shumë e rrezikshme me autoritetin e Parlamentit.

Jo vetëm se qeveria e ka sjellë kodin me këto nene, por edhe shumica e qeverisë në Parlament e ka votuar Kodin me këto nene. Nuk ka kurrfarë çështje diskutabile këtu. Po flasim për një sistem të rrënimit të autoritetet të Parlamentit të Kosovës edhe po ju lutem që edhe ju edhe qytetarët edhe ne duhet që të ruajmë autoritetin e Parlamentit. Rrëzimi i autoritetit të Parlamentit do të thotë shëndrrim i sistemit monist në Kosovë”, tha zoti Gjini.

Vendimi i Parlamentit nxiti shumë reagime të shoqatave të gazetarëve të cilat thanë se do të kërkojnë edhe nga Gjykata Kushtetuese një opinion lidhur me këtë çështje.

Vendimi i Parlamentit nxiti reagime edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët thanë se nenet e diskutueshme janë në kundërshtim me konventat e Bashkimit Evropian që mbrojnë lirinë e medias.
XS
SM
MD
LG