Lidhje

LDK për respektim të marrëveshjes për presidenten


LDK
LDK

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ngul këmbë për zbatimin e marrëveshjes politike që çoi në emërimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e pakënaqur me situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e presidentes së Kosovës, kërkon zbatimin e marrëveshjes politike që çoi në emërimin e saj.

Gjykata në fillim të muajit korrik shpalli se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim me Kushtetutën.



Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011, pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell. Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se partia e tij ngulë këmbë në zbatimin e marrëveshjes. “sepse realizimi i kësaj marrëveshjeje është parakusht që ne t’i çojmë këto procese përpara, të çohet reforma përpara. Dhe po ashtu të krijohen kushte që ne ta zhvillojmë shtetndërtimin e Kosovës, sepse akoma ne s’i kemi kryer të gjitha punët sa i përket ndërtimit të shtetit”.

Zoti Mustafa tha se shkelja e marrëveshjes do të cenonte unitetin që është detyra kryesore e presidentit, ndërsa paralajmëroi se partia e tij do të ndërmarrë veprime politike në funksion të zbatimit të saj.

Natyrisht që ne presim që të deklarohet edhe presidentja lidhur me këtë, të deklarohet qartë edhe kryeministri lidhur me marrëveshjen, të deklarohet edhe faktori ndërkombëtarë. Në vjeshtë fillon puna e parlamentit të Republikës së Kosovës dhe deputetët tanë do të veprojnë varësisht nga hapat që do të ndërmarrin faktorët e marrëveshjes dhe faktori ndërkombëtar”, tha zoti Mustafa.

Vendimi i Kushtetueses u mbështet nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që bënë thirrje për respektim të vendimeve të Gjykatës, një praktikë tashmë e sprovuar në Kosovë.
XS
SM
MD
LG