Lidhje

Ramush Haradinaj lirohet përkohësisht nga Haga


Rigjykimi i Ramush Haradinajt, më 17 gusht
Rigjykimi i Ramush Haradinajt, më 17 gusht

Ish kryeministri i Kosovës, i shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për një rigjykim të pjesshëm

Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë, ka vendosur që ta lirojë përkohësisht ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, deri në vendimin përfundimtar të procesit të rigjykimit të tij, që pritet të ndodhë në muajin shtator.

Më 27 qershor, gjykata përfundoi seancat dëgjimore gjatë të cilave prokurorët, kërkuan që zoti Haradinaj të dënohet me të paktën 20 vjet heqje lirie, lidhur me akuzat për krime lufte, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e tij.

Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte.

Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 19 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
XS
SM
MD
LG