Lidhje

Kosovë: Lufta kundër korrupsionit


Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë thonë se korrupsioni vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore në përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Këto komente u bënë sot në Prishtinë gjatë punimeve të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, nismë kjo që ka për qëllim bashkërendimin e veprimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se korrupsioni e rrezikon moralin e shoqërisë dhe institucionet e kanë për obligim që të luftojnë këtë dukuri.

“Nëse nuk jemi efikas dhe plotësisht të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, atëherë ne po rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri në të cilën fëmijët tanë do të rriteshin në një ambient, ku formë për arritje të suksesit do ta konsideronin miton dhe korruptimin. Ne duhet të parandalojmë që dukuria e korrupsionit të bëhet kulturë e punës së institucioneve shtetërore dhe edhe më keq, kulturë e jetës së përditshme të shoqërisë sonë”, tha Presidentja Jahjaga.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi njëherësh ministër i Drejtësisë tha se qeveria është e angazhuar në fuqizimin e ligjeve aktuale dhe përshpejtimin e ligjeve tjera kundër korrupsionit.

“Unë do të fokusohem kësaj radhe në planet e ministrisë së Drejtësisë për këtë vit në këtë drejtim, duke u fokusuar në tri ligje kryesore të cilat janë baza kryesore që sivjet pritet të vihet në luftën tonë kundër korrupsionit dhe këto janë: Kodi i ri Penal, Kodi i ri i Procedurës Penale dhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale. Kodi i ri penal, i cili pritet të miratohet përfundimisht shumë shpejtë nga Kuvendi, ka sjellë shumë risi dhe shumë përmirësime në drejtësinë penale në Kosovë. Për më tepër, njëra nga përpjekjet kryesore të ministrisë së Drejtësisë dhe rrjedhimisht Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë pikërisht ashpërsimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti”, tha zoti Kuqi.

Ndërkaq, zëvendësshefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Andy Sparks, tha se misioni i EULEX-it është duke bërë përpjekje që bashkë me institucionet e Kosovës ta luftojnë këtë dukuri.

“Ne nuk jemi të përsosur , kemi bërë gabime, gabime serioze. Por, me kapacitetin tonë ekzekutiv, EULEX-i ka hapur më shumë se 90 raste për korrupsion, numër ky që është në rritje, ndërsa ka kryer hetime për korrupsion dhe ka shpërndarë më shume se 46 aktgjykime. EULEX-i gjithashtu është duke e luftuar korrupsionin me ekipe të përziera të hulumtimit, me prokurorë vendas dhe policinë e Kosovës”, tha zoti Sparks.

Këshillit Kombëtar Kundër korrupsionit është themeluar me dekret të veçantë të presidentes Jahjaga dhe ka për qëllim të bashkërendojë veprimet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe do të identifikojë dhe bashkërendojë veprimet në përkrahje të zbatimit të strategjisë kombëtare në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë debateve të sotme sërish u vunë në spikamë komentet e ambasadorit amerikan në Kosovë Christopher Dell i cili ditë më parë tërhoqi vërejtjen se korrupsioni ka përshirë Kosovën në shkalë të gjerë.

XS
SM
MD
LG