Lidhje

LDK-AAK-Nisma - marrëveshje me Vetëvendosjen

  • Leonat Shehu

Marrëveshja e së mërkurës synon të sigurojë zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, ndërsa pritet edhe një marrëveshje për ndarjen e pushtetit ekzekutiv

Drejtuesit e Lidhjes Demokratike, Aleancës për Armërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën nënshkruan një marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje. Marrëveshja që u nënshkrua nga udhëheqësit e këtyre partive, i detyron palët që, siç thuhet,”sa më parë dhe në përputhje me parimet e demokracisë parlamentare, me normat kushtetuese dhe ligjet e vendit t’i ndërtojnë institucionet e reja”.

Në tekstin e kësaj marrëveshjeje thuhet se palët do të “përqendrohen në çështjet e zhvillimit ekonomik, në rritjen e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit, në reformat thelbësore në arsim e shëndetësi, për forcimin e shtetit ligjor dhe lundër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se qeverisja e ardhshme do të përkushtohet në rrugën evropiane të Kosovës.

“Të punojmë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës dhe për përmbushjen e standardeve për anëtarësim në BE dhe NATO si dhe për intensifikimin e dialogut me Komisionin Evropianë dhe institucionet e tjera të bashkësisë evropiane për obligimet e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit dhe anëtarësimin e plotë në BE. Të vendoset dialogu i hapur me pakicën serbe në Kosovë për integrimin e plotë të tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror si dhe të angazhohemi për një dialog cilësor, parimor dhe të përgatitur mirë, të orientuar dhe fokusuar në çështjet me interes për Republikën e Kosovës”, tha zoti Mustafa.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me këtë marrëveshje do të fillojë një ndryshim i madh në Kosovë.

“Theksi i marrëveshjes është zhvillimi ekonomik. Është qeverisja parimore. Është reforma institucionale. Është mirëqenia sociale dhe natyrisht që në këtë marrëveshje e kemi përfshirë edhe çështjen e dialogut, ku ne së pari, e kemi përmendur dialogun me Bashkimin Evropian, me komisionin evropian, me institucionet e BE-së si dhe dialogun me serbët e Kosovës për integrimin e tyre në shoqëri dhe gjithashtu kemi edhe dialogun në përgjithësi që gjithsesi do të jetë parimor”, tha zoti Kurti.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet se “dialogu është përgjegjësi e qeverisë dhe se qeveria do të emërojë drejtuesin për procesin e dialogut nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje,si dhe do të krijojë hapësirë për opozitën”.

Bartja e përgjegjësisë së dialogut me Serbinë tek kjo lëvizje ka nxitur shqetësime te komuniteti ndërkombëtar në Kosovë. Zoti Mustafa tha se bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë.

“Kemi biseduar sot në ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe me zotin Zhbogar, shqetësimi i tyre është dialogu, ne i kemi shprehur zotimet tona se dialogu do të vazhdojë se përfshirja më e gjerë në këtë marrëveshje nënkupton një forcë më të madhe të dialogut, një cilësi dhe një përgjegjësi tonën më të madhe për dialogun dhe këtë zotim sot prapë po e përsërisë se dialogu është një prej proceseve demokratike të cilën ne do ta zhvillojmë në të mirë të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, tha zoti Mustafa.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve. Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të premten më 12 shtator për të zgjedhur udhëheqjen e tij, por, ende është e paqartë nëse do të gjejë ndonjë zgjidhje për ngërçin politik për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të partive politike.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha se i takon Partisë Demokratike të propozojë kryetarin e parlamentit të Kosovës si grupi më i madh i dalë nga zgjedhjet e tetë qershorit. Partia Demokratike e cila ka 37 deputetë, nuk e ka aktualisht numrin e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit, zgjedhje që kërkon të paktën 61 vota. Kjo parti kritikoi marrëveshjen e sotme e cila siç thuhet nuk ofron zgjidhje për situatën në vend dhe synon përfitime politike të humbësve të zgjedhjeve.

Zhvillimet e deritashme politike e kanë bërë shumë sfidues procesin e formimit të institucioneve të reja dhe kanë lanë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndërkaq, derisa diplomatët perëndimorë thonë se nuk do të ndërhyjnë në këtë çështje, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, por siç është thënë, vetëm në rast të rrezikimit të funksionimit të shtetit.

XS
SM
MD
LG