Lidhje

Kosovë: Mbyllet procesi i zgjedhjeve, nis procesi i krijimit të qeverisë

  • Leonat Shehu

Kosovë: Mbyllet procesi i zgjedhjeve, nis procesi i krijimit të qeverisë

Kosovë: Mbyllet procesi i zgjedhjeve, nis procesi i krijimit të qeverisë

Në Kosovë ka përfunduar numërimi i të gjitha votave, përfshirë ato të hedhura me kusht dhe ato të dërguara nëpërmjet postës, duke hapur kësisoj mundësinë e vërtetimit të këtyre zgjedhjeve dhe përmbylljen e procesit të stërzgjatur të zgjedhjeve parlamentare. Këto vota, numërimi i të cilave përfundoi mbrëmë nuk kanë ndryshuar renditjen e partive politike nga rezultatet paraprake. Sipas Komisionit Qendror, Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re. Ndërsa Fryma e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor.

Vërtetimi i këtyre zgjedhjeve mund të ndodhë më dy shkurt nëse nuk do të ketë ankesa shtesë të partive politike dhe me këtë do të hapet mundësia e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, një proces ky që u zvarrit për shkak të parregullsive të shfaqura në zgjedhjet që kushtëzuan rivotime në gjashtë komuna të vendit. Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet më së voni një muaj pas vërtetimit të rezultateve, por Partia Demokratike e Kosovës shpreson se deri kah mesi i muajit shkurt, përkatësisht para përvjetorit të tretë të pavarësisë së vendit të krijohet qeveria e re e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi është zotuar se qeveria do të krijohet para 17 shkurtit dhe ajo do të jetë shumë përfshirëse dhe shumetnike, por nuk ka nuk ka dhënë hollësi se me kë mund të bëjë qeverinë.

Gjykuar nga rezultatet e zgjedhjeve Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ose Aleanca Kosova e Re, e mbase të dyja mund të jenë partnere në koalicionin qeverisës. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë shprehur në favor të qëndrimit në opozitë.

Java që po vjen pritet që të hapë edhe zyrtarisht bisedimet për krijimin e qeverisë së re e cila do të përballet më një numër sfidash përfshirë përpjekjet për të zvogëluar dëmet që vlerësohet se i janë shkaktuar Kosovës me raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili pretendon se ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe kryeministri aktual, Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, mes tjerash edhe me trafikimin e organeve njerëzore.

Një nga sfidat e radhës për institucionet e reja pritet të jetë edhe reformimi i plotë i sistemit të zgjedhjeve, pas problemeve që u shfaqën në votimet e fundit që filluan më 12 dhjetor të vitit të kaluar dhe përfunduan të dielën që lamë pas me rivotimet në Mitrovicë.

Këto zgjedhje ishin të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe të parat që në tërësi janë organizuar nga institucionet e shtetit të ri.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG