Lidhje

Kosovë, mediat bojkotojnë institucionet në ditën ndërkombëtare të shtypit


Mediat në Kosovë nuk kanë shënuar sot asnjë veprimtari të institucioneve. Në këtë formë ato shënuan ditën ndërkombëtarë të lirisë së shtypit duke kërkuar ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës të miratuar më 20 prill në Parlamentin e Kosovës, i cili përfshinë dy nene që kanë të bëjnë me mediat. Nenet e diskutueshme thonë se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Një varg debatesh janë organizuar sot në ditën e lirisë së shtypit dhe çështja kryesore ishte Kodi Penal.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve profesionist të Kosovës, Arben Ahmeti tha se Kodi i ri minon lirinë e shtypit.

“Na është dhënë arsye që ne të protestojmë në ditën e lirisë së shtypit sepse me anë të Kodit Penal po mundohen t'i veçojnë gazetarët si kategori tjetër e qytetarëve dhe të krijohet mundësia që gazetarët të shkojnë në burg sa herë që ndokujt nuk i pëlqen se çka shkruajnë, se për çka po raportojnë ata”, tha zoti Ahmeti.

Milazim Krasniqi, shef i departamentit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, gjatë një debati të organizuar nga Unioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se mënyra e themelimit dhe financimit të medieve ka bërë që shumë prej tyre të jenë të përfshira edhe në veprime jo etike.

“Për shkak të këtij jo stabiliteti të krejt rregullave të lojës, Kuvendi i Kosovës ka bërë një përpjekje jo fatlume në Kodin duke futur nenin 37 dhe 38 që diqysh të krijojë një mekanizëm mbrojtës prej këtij agresiviteti të një pjese të mediave, unë mendoj që në të vërtetë zgjidhja më e mirë do të ishte që përgjegjësia, se duhet të ekzistojë përgjegjësia, tu adresohet pronarëve të mediave dhe redaktorëve e jo gazetarëve”, tha zoti Krasniqi.

Njëri pas tjetrit, përfaqësuesit e medias kanë kundërshtuar Kodin Penal duke e cilësuar të dëmshëm për lirinë e shtypit.

“Legjislativi ynë miraton ligj që në bazë të përvojave të deritashme të punës së gjyqësorit hap rrugë për cenimin më të thellë të lirisë së punës dhe të shprehjes së gazetarëve dhe të medieve”, tha Eugen Saraçini nga Radiotelevizioni 21.

“Vendosja e neneve 37, 38 dhe 39 që është në vazhdimësi në Kodin Penal është veprim aktiv për të zvogëluar e madje edhe për të humbur lirinë e shprehjes, të informimit, të publikimit, të mbrojtjes prej paligjshmërisë, mision të cilin për mua e ka shtypi dhe media e lirë”, tha Margarita Kadriu nga gazeta Kosova Sot.

“Interesi sot më 3 maj në ditën e lirisë së shtypit është qysh mundemi ne tash e tutje të mbesim të bashkuar dhe për t'i mos i lejuar këta njerëz që të na e kufizojnë lirinë sepse ata janë të vullnetshëm që ta bëjnë atë punë. Edhe kur po them këta po mendoj për një klasë të tërë politike, e jo në parti të caktuara në pushtet apo pjesë të pushtetit. domethënë ekziston disponimi madje edhe në mesin e prezencës ndërkombëtare te një pjese, që t'i kufizojnë liritë e gazetarëve sepse këta janë të këqij”, tha Agron Bajrami nga gazeta Koha Ditore.

Donat Syla, redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin e Kosovës tha se është krijuar një praktikë e dy lloje interpretimesh për shkallën e lirisë së fjalës.

“Versioni i parë të cilin e përfaqësojnë analistët lojal të pushtetit të cilët thonë se ka liri të mjaftueshme të mediave dhe secili mund të gjykojë, secili do gazetarë apo analist mund të shpif e të fyej pa asnjë lloj argumenti për cilin do personalitet dhe nuk ka pasoja për fjalët që i thotë. Versioni i dytë është versioni i mediave që nëpër raportet e tyre çdo lëvizje në këtë vend e paraqesin të zymtë, dyshimtë, me tendencë dhe përfundimisht të keqe, pra çdo gjë në këtë vend është keq, sipas tyre”, tha zoti Syla.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë mbështetur gazetarët në Kosovë dhe i kanë bërë thirrje presidentes Atifete Jahjaga që të mos e nënshkruajë Kodin Penal.

Organizata Ndërkombëtarë Freedom House në raportin e saj të fundit e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme.

XS
SM
MD
LG