Lidhje

Prishtina nuk lejon ministrin serb të hyjë në Kosovë


Goran Bogdanoviç
Goran Bogdanoviç

Autoritetet thanë se ministri serb Goran Bogdanoviç, dështoi deri tash të përmbahet nga deklaratat politike gjatë vizitave në Kosovë.

Në Kosovë, autoritetet nuk i kanë dhënë lejen ministrit për Kosovën në qeverinë në largim të Serbisë, Goran Bogdanoviç, që të qëndrojë në Kosovë. Ai planifikonte që gjatë ditës së sotme të vizitojë disa fshatra me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit në Kosovën lindore, ndërsa nesër të merrte pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të Betejës Mesjetare të Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, bëri të ditur se vendimi për të mos lejuar vizitën e ministrit serb është mbështetur në fakti se në të kaluarën ai nuk u është përmbajtur udhëzimeve që gjatë vizitave në Kosovë të mos bëj deklarata politike.



Në reagimin e ministrit serb thuhet ndërkaq se arsyeja e moslejimit të hyrjes së tij në Kosovë, është mbështetja e tij për institucionet e Serbisë që veprojnë në zonat e banuara me shumicë serbe, posacërisht në veriun e Kosovës e të cilat shihen si pengesa kryesore për integrimin e asaj zone. Ai citohet të ketë thënë se në këtë mënyrë askush nuk ta disiplinojë atë se si do të sillet politikisht.

Autoritetet e rendit në Kosovë thanë se do të arrestojnë ministrin serb nëse ai bën përpjekje të hyjë në Kosovë pa leje. Autoritetet thanë se kanë shtuar masat e sigurisë për ditën e nesërme kur serbët shënojnë ditën e Shën Vitos, përkatësisht 623 vjetorin e betejës së Kosovës. Ndonëse, ajo betejë shënoi humbjen më të rëndë të popujve të Ballkanit, nga serbët shënohet si ditë e fitores shpirtërore.

Kremtimi i përvjetorit të saj mori përmasa të tjera në vitin 1989, kur ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç shpalli siç thuhej bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Njëzetetre vjet pas asaj dite, Kosova ndodhet në çerekun e parë të pesë vjetorit të pavarësisë së saj të njohur nga rreth 90 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj

Të dyja vendet po diskutojnë mundësinë e vazhdimit apo jo të një serie të re bisedimesh për zgjidhjen e çështjeve teknike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedime që nga diplomacia perëndimore janë parë si një mundësi për shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat siç thuhet duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG