Lidhje

Kosovë: Ndërron jetë Dino Asanaj


Drejtori i Bordit të Agjencisë së privatizimit në Kosovë, Dino Asanaj, ndërroi jetë nga pasojat e plagëve që pësoi nga goditjet me thikë në Prishtinë.

Ai ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës, me gjithë përpjekjet e mjekëve për t’i shpëtuar jetën, por, sipas tyre, ai ishte qëlluar në fyt dhe ne zemër.

Policia e Kosovës tha se rreth mesditës, zoti Asanaj është qëlluar me thikë në zyrën e tij private në periferi të Prishtinës, por ende nuk dihet për autorët apo motivet e mundshme të këtij akti. Një zëdhënës i policisë tha se janë disa shtigje hetimesh por ende është herët të flitet për to.

I lindur në Pejë, shqiptaro-amerikani, Dino Asanaj, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1985.

Gjatë luftës së Kosovës ai veproi si përfaqësues i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa një periudhë pas luftës ai shërbeu si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas shpalljes së pavarësisë ai u emërua në postin e drejtorit të bordit të Agjencisë së Privatizimit në Kosovë.

Dënohet gjerësisht vrasja e Dino Asanajt

Vrasja e tij u dënua ashpër nga qeveria e Kosovës, e cila nëpërmjet një komunikate për opinion e cilësoi vrasjen një veprim qyqar dhe të rëndë kundër individit dhe shoqërisë së Kosovës, kundër institucioneve demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha është një veprim kundër funksionimit të rendit dhe ligjit në Kosovës.

Qeveria u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Vrasja u dënua edhe nga kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe nga partitë politike, të cilat kanë bërë thirrje për angazhim më të madh dhe më serioz të institucioneve të Kosovës, për të garantuar siguri për secilin qytetar dhe zyrtar të vendit dhe për mobilizim të gjithanshëm, që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji.

Vrasja është dënuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zogar, është shprehur i tronditur lajmin për vrasjen e zotit Dino Asanaj.

“Vetëm disa javë më parë ne u takuam dhe diskutuam planet e privatizimit të Kosovës. Unë e dënoj këtë akt brutal që është një sulm mbi sigurinë e përgjithshme dhe mbi sundimin e ligjit në Kosovë. Unë iu bëj thirrje gjyqësorit dhe autoriteteve të sigurisë që të japin maksimumin dhe të sjellin autorët para drejtësisë”, thuhet në një deklaratë për media të zotit Zbogar.

Ndërkaq, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith, duke e dënuar vrasjen thekson se “Dino Asanaj ka punuar pa pushim për të ardhmen e vendit të tij si një demokraci e lirë dhe moderne evropiane të bazuar në ekonominë e tregut. Shumë miq dhe kolegë të tij në Zyrën Civile Ndërkombëtare, do ta mbajnë mend Dino Asanajn për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij për ta çuar Kosovën drejt një të ardhmeje ekonomike me më shumë përparim”.

XS
SM
MD
LG