Lidhje

Në kërkim të zgjidhjes së ngërçit politik në Kosovë

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Në kërkim të zgjidhjes së ngërçit politik në Kosovë

Në kërkim të zgjidhjes së ngërçit politik në Kosovë

Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli nuk deshi të marrë pjesë në një ceremoni të paralajmëruar për dorëzimin e postit tek ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, njëherësh kryetar i Parlamentit të Kosovës. Në një komunikatë të zyrës së zotit Pacolli thuhet se ai nuk e ka parë të nevojshme të shfaqet në një ceremoni të tillë, meqë zoti Krasniqi tashmë ka filluar të ushtrojë këtë detyrë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila sqaroi se vendi nuk ka boshllëk institucional pas shpalljes së zgjedhjes së presidentit Pacolli si jo kushtetuese. Ky fakt ka bërë që edhe partia e zotit Pacolli, Aleanca Kosova e Re, të mos nxitojë për të dërguar në Parlament kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie, Ibrahim Makolli tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se koalicioni qeverisës i ka nënshkrimet e nevojshme edhe për kandidimin e presidentit.

“Sqarimi i Gjykatës Kushtetuese e cila konstaton se nuk ka boshllëk institucional, pastaj ka rezultuar me një pritje tonën në mënyrë që të krijohet një mundësi më e mirë për konsulta të mëtutjeshme që të gjendet një zgjidhje e cila do të garantonte një sukses në seancën plenare kur do të zgjidhej presidenti i vendit”, tha zoti Makolli.

Pjesa më e madhe e opozitës ndërkaq thotë se do të mbështesë zgjedhjen e presidentit vetëm nëse ka një marrëveshje të partive parlamentare. Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se partitë duhet të merren vesh për përcaktimin e afateve të qartë kohore për ndryshimet në sistemin zgjedhor, ndryshimin e kushtetutës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta. Një qëndrim të ngjashëm paraqiti sot edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala tha se kjo situatë mund të tejkalohet me një tryezë politike me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare që do të fillonin dialogun e munguar politik.

“Nuk shoh cila është alternativa tjetër. Nëse do të ketë mungesë të dialogut politik do të ketë rritje të tensioneve, do të ketë rritje të problemeve, do të ketë telashe të reja në Kuvendin e Kosovës dhe vendi do të thellohet në krizën e cila do të merr përmasa me të vërtet të cenimit apo kërcënimit të themeleve të shtetit të Kosovës”, tha zoti Shala.

Zoti Makolli thotë se Parlamenti do të duhej të zgjidhte presidentin sa më parë dhe pastaj të diskutoheshin të gjitha rrugët e shmangies së situatave të ngjashme në të ardhmen, duke filluar reformat dhe caktimin e një plani të veprimit të partive dhe Parlamentit të Kosovës.

“Në momentin kur këto do të realizoheshin atëherë do të shkonte në paketë për zgjedhje sepse ka mundësi që në kushtetutë në rast të ndryshimit të saj, të theksohej se në një afat të caktuar kohor pas hyrjes në fuqi të kësaj kushtetute duhet të organizohen zgjedhje në të gjitha nivelet”, tha zoti Makolli.

Bojkotimi nga ana e opozitës i seancës së 22 shkurtit në Parlamentin e Kosovës, kur u votua për zotin Pacolli, bëri që Gjykata Kushtetuese ta shpallë vendimin jo kushtetues. Një rivotim, pa opozitën do të ishte i pamundur, meqë koalicioni nuk do të kishte numrin e mjaftueshëm prej të paktën 80 deputetësh në Parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG