Lidhje

Kosovë: Nesër rifillon rinumërimi i votave të diskutueshme

  • Leonat Shehu

Kosovë: Nesër rifillon rinumërimi i votave të diskutueshme

Kosovë: Nesër rifillon rinumërimi i votave të diskutueshme

Ditët e pushimeve me rastin e Krishtlindjeve dhe ato që pasojnë me kremten e Vitit të Ri duket se e kanë shtyrë tashmë edhe përmbylljen e rinumërimit të votave nga 40 për qind e vendvotimeve, një vendim ky që pasoi shqetësimet e ngritura për parregullsi në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Në qendrën për numërimin e votave e cila pritet që nesër të rifillojë punën thonë se janë numëruar 380 nga 760 vendvotimet që i janë nënshtruar këtij procesi. Derisa vazhdon rinumërimi nuk dihet nëse do të ketë votime të reja përveç atyre vendvotime për të cilat tashmë është vendosur të shkohet në rivotim.

Më 9 janar të vitit që po vjen, do të ketë rivotime të plota e të pjesshme në pesë komuna të Kosovës për shkak të parregullsive të shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Në komunën e Deçanit në Kosovën perëndimore dhe në Drenas e Skenderaj në Kosovën qendrore do të rivotohet në tërësi, ndërsa pjesërisht në komunat me të vogla, në Lipjan e Malishevë.

Por, derisa priten rivotimet Partia Demokratike e Kosovës e cila sipas rezultateve paraprake është fituese e zgjedhjeve ka filluar tashmë përpjekjet për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Kjo parti tashmë edhe zyrtarisht ka diskutuar mundësinë e koalicionit me Aleancën Kosova e Re, një parti kjo e cila në një koalicion edhe me shtatë subjekte të tjera fitoi 7.1 për qind të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Derisa është vënë në kërkim të partnerëve me të cilët do të qeveriste vendi, Partia Demokratike I ka hedhur poshtë të gjithë mundësitë që të bëjë kompromis për postin e kryeministrit, post ky që është përcaktuar për kryetarin e kësaj partie, Hashim Thaçi.


Ndërkaq, zyrtarë të Aleancës Kosova e Re, thonë se posti i presidentit të Kosovës është një nga kushtet për të hyrë në koalicion me Partinë Demokratike.

Tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje kanë hedhur poshtë çdo mundësi të koalicionit me Partinë Demokratike, ndërsa një qëndrim jo shumë të favorshëm për këtë e ka deklaruar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, Partia Demokratike sipas analistëve duket se do të ketë nevojë edhe për këtë parti, meqë themelimi I qeverisë së re nënkupton 61 vota në Parlament, ndërsa qëndrueshmëria e saj ka nevojë për më shumë vota.
Një qeveri e qëndrueshme, thonë ata është me rëndësi të veçantë për shkak të proceseve që e presin shtetin e ri.

XS
SM
MD
LG