Lidhje

Kosovë: Një muaj që nga bllokimi i importit të mallrave nga Serbia


Kosovë: Një muaj që nga bllokimi i importit të mallrave nga Serbia
Kosovë: Një muaj që nga bllokimi i importit të mallrave nga Serbia

Një muaj më parë, më 20 korrik, qeveria e Kosovës vendosi të ndalojë importimin e mallrave nga Serbia si një kundërpërgjigje ndaj ndalimit që ajo u kishte bërë mallrave nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë së kësaj te fundit.

Vendimi pasoi anulimin e raundit të gjashtë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku ishte planifikuar të debatohej çështja e vulave doganore të Kosovës që nuk njihen nga Serbia.

Pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina vendosën të mos lejojnë eksportimin e mallrave të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes për tregti të lirë ne vendet e Evropës qendrore të njohur si CEFTA.

Një muaj pas vendimit të qeverisë së Kosovës, ekspertët e ekonomisë thonë se vendimi është arsyetuar tërësisht. Kryetari i Odës ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se masat e ndërsjella tashmë po i japin frytet e tyre.

“Kjo po manifestohet çdo ditë e më tepër, çoftë në aspektin politik apo ekonomik, por mbi të gjitha në psikologjinë e konsumatorit dhe biznesmenit kosovar. Është një rritje enorme e konsumimit të prodhimeve vendore, është një shtim enorm i punësimit, që ka qenë një ndër problemet më të mëdha dhe mbi të gjitha është krijuar një opinion i ri që Kosova mund të jetoj në aspektin ekonomik edhe pa Serbinë, po ashtu edhe nga aspekti politik”, tha ai.

Zoti Gërxhaliu thotë se ndalimi i importeve nga Serbia nuk ka krijuar boshllëk në tregun e Kosovës. Shtetet e rajonit janë vënë në përpjekje për të fituar tregun dhe për të zëvendësuar importet nga Serbia që në vitin 2010 kishin arritur në rreth 320 milion euro.

“Vendet kyçe që e kanë bërë zëvendësimin, janë vendet evropiane. Është në rend të parë Shqipëria, Maqedonia Bullgaria dhe Turqia, por edhe vendet tjera që vërtet e kanë gjetur këtë boshllëk që të plasojnë prodhimet e veta dhe në qoftë se kishte për tu bërë një analizë e asaj se kush humb, atëherë me siguri ekonomia serbe do të jetë ajo e cila ka pësuar më së shumti. Duhet të kuptohet edhe një qasje psikologjike e konsumatorit, kur një treg humbet njëherë është shumë vështirë të kthehet dhe jam i mendimit se me këto procese politike dhe me këtë dozë të radikalizmit serb ndaj Kosovës, atëherë ekonomia serbe me të vërtetë ka humbur në këtë drejtim dhe do të jetë shumë e vështirë që të kthehet”, tha zoti Gërxhaliu.

Në mesin e vendeve që kanë parë një mundësi për të rritur eksportet e mallrave në Kosovë është edhe Kroacia. Diskutimi i këtyre mundësive pritet të jetë pjesë e vizitës që javën e ardhshme pritet të zhvillojë në Kosovë kryeministrja kroate Jadranka Kosor, vizitë kjo e cila nuk po shihet me sy të mirë nga Serbia, e cila e ka dënuar veprimin e autoriteteve të Prishtinës.

Ndalimi i importeve nxiti shqetësime për mundësinë e shtimit të kontrabandës së mallrave serbe. Zoti Gërxhaliu thotë se kjo çështja varet shumë nga vullneti politik.

“Unë e kam thënë në të kaluarën dhe po e përsëris se kontrabanda në Kosovë do të ndalohet një qind për qind atëherë kur grupe të caktuara politike në Kosovë do ta minimizojnë dëshirën për të përfituar nga kontrabanda. Për kontrabandë, për dashuri, për luftë gjithmonë duhet të jenë dy palë. Me siguri se çdo kontrabandistë në këtë drejtim e ka një mbështetje nga qarqe të caktuara politike dhe fati i tyre është në duart e qarqeve të caktuara politike, sa janë të gatshëm që ta sakrifikojnë interesin e tyre”, tha zoti Gërxhaliu.

Më 25 korrik, pak ditë pas ndalimit te importeve nga Serbia, qeveria e Kosovës filloi një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe në funksion të zbatimit të këtij vendimi.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Dhuna bëri që kontrollin në vendkalimet kufitare në veri ta marrin përsipër forcat e NATO-s të cilat i shpallën ato vendkalime si zona të kufizuara ushtarake. Kjo situatë pritet të zgjasë deri nga mesi i muajit shtator, kur mund të priten edhe rezultatet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG