Lidhje

EULEX dhe KFOR largojnë një barrikadë në veri


Zyrtarë të EULEX-it thanë se operacioni është në funksion “të sigurimit të qasjes së policëve të këtij misioni në zonë”

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, larguan sot një barrikadë që ndodhej në rrugën që lidhë Mitrovicën me komunën e Zubin Potokut, një komunë me shumicë serbe në veri.

Në një njoftim të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, thuhet se operacioni ishte në funksion “të sigurimit të qasjes së policëve të EULEX-it në stacionin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok, në mënyrë që ata të kryejnë detyrat e tyre. Operacioni, ku janë përfshirë EULEX-i dhe KFORI, është duke u zhvilluar afër fshatit Zupç, rrugës për në Zubin Potok ku një grup i vogël kriminel është duke e penguar lirinë e qasjes”, thuhet në njoftim.

Përfaqësues të serbëve ndërkaq, akuzuan KFOR-in për nxitje të trazirave dhe qëndrim që nuk përkon me mandatin e tij. Me herët gjatë ditës, përfaqësuesit e qeverisë serbe akuzuan forcat e NATO-s në veri të Kosovës për siç thuhet, pengimin e lëvizjes së mallrave nëpërmjet bllokimit të rrugëve dytësore që lidhin Kosovën me Serbinë.

Forcat e KFOR-it tashmë një kohë të gjatë nuk po lejojnë shfrytëzimin e rrugëve dytësore përreth vendkalimeve kufitare zyrtare në veri të Kosovës, të cilat ishin hapur nga serbët për të shmangur lëvizjen nëpër vendkalimet zyrtare, meqë nuk duan të paguajnë taksat që shkojnë në buxhetin e Kosovës.

Zyrtarë të NATO-s i kanë cilësuar të pavërteta pohimet e serbëve në veri, por edhe në Beograd, sipas të cilëve me veprimet e tij, KFOR-i po pengon furnizimin e qytetarëve në veri. Zyrtarë të NATO-s thanë se hyrja në Kosovë mund të bëhet lehtësisht nëpërmjet vendkalimeve kufitare.

Zyrtarë të qeverisë së Serbisë thanë sot se shefit të zyrës për Kosovën në atë qeveri Aleksandër Vulin, i është pamundësuar vizita në veriun e Kosovës. Sipas tyre, ai është detyruar të shtyjë vizitën, për shkak të. siç është thënë, paralajmërimit të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, se nuk do të lejojë qëndrimin e tij në atë zonë.

Por, zyrtarët e EULEX-it mohojnë të jenë përfshirë në këtë çështje. Në një deklaratë të këtij misioni thuhet se EULEX-i nuk është i është i përfshirë në vendimmarrje dhe se në raste të tilla “kërkesa për vizitë shkon nga zyrtarët e Beogradit, përmes zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Prishtinë, tek Qeveria e Kosovës. Pasi qeveria të marr vendimin e saj, informata kthehet prapa përmes kanalit të njëjtë. EULEX-i nuk është i përfshirë në këtë proces”.

Nuk ka pasur ndonjë koment nga qeveria e Kosovës apo zyra e Bashkimit Evropian për këtë çështje, ndërsa zyrtarë të policisë së Kosovës thanë se kanë pasur urdhër të arrestojnë dhe deportojnë në Serbi, zyrtarin serb për shkak të mosrespektimit të procedurave me rastin e vizitave të tilla.

Me gjithë shpjegimet, përfaqësues të serbëve në veri akuzuan EULEX-in për siç thanë, sjellje që nuk është e paanshme ndaj statusit të Kosovës dhe se në këtë mënyrë, sipas tyre, po u vështirëson shtetit serb por edhe serbëve në Kosovë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për stabilizimin e situatës së vështirë në terren.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe atje nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Çështja e asaj zone, tashmë gjithnjë e më shpesh po përmendet si temë e mundshme e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat pritet të vazhdojnë në vjeshtën e këtij viti, ndonëse Prishtina zyrtare ngulë këmbë se veriu është çështje e brendshme, që nuk mund të shtrohet në bisedimet me Serbinë.
XS
SM
MD
LG