Lidhje

Arrestohen 11 veta dhe identifikohen 22 viktima të trafikuara

  • Leonat Shehu

Autoritetet e policisë thanë se arrestimet ishin pjesë e një operacioni kundër krimit të organizuar të kryer në rajonin e Gjakovës.

Policia e Kosovës, bëri të ditur sot se ka arrestuar 11 persona dhe ka identifikuar 22 femra që ishin përfshirë në një rrjet të krimit të organizuar me qëllim ushtrimi të prostitucionit në Kosovë.

Arben Paçarizi, nga drejtoria për hetimin e trafikut të qenieve njerëzore, tha se arrestimet dhe shpëtimi i viktimave, ishin pjesë e një operacioni me emrin e koduar, unaza, që pasoi hetimet disamuajshe.

Operacioni është zhvilluar në komunën e Gjakovës në 11 lokacione, 5 prej tyre kanë qenë lokale të natës ndërsa pesë të tjera shtëpi banimi si dhe një zyre e punësimit rajonal, pjesë e ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Njëri nga personat e arrestuar është zyrtar i zyrës rajonale për punësim, i cili ka qenë pjesë e këtij grupi duke ndihmuar në forma të ndryshme veprimtarinë e grupit kriminal”.



Ai tha se të gjitha viktimat janë shtetase të Moldavisë. “Nga hetimet tona rezulton se mënyra se si kanë ardhur në Kosovë, mbajtja e tyre, kontrolli i tyre dhe shfrytëzimi i tyre në rrjetin e prostitucionit, tregon dëshmi të qarta e të mjaftueshme që ato janë shfrytëzuar dhe janë të trafikuara për qëllime të prostitucionit”, tha zoti Pacarizi.

Policia tha se të gjitha viktimat janë strehuar dhe po trajtohen në pajtim me standardet e procedurat e përcaktuara për trajtimin e tyre, ndërsa të arrestuarit dyshohen për përfshirje edhe në veprat tjera penale si pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje të paligjshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se ky operacion, ndër më të ndërlikuarit, dëshmon për forcimin e mundësive të policisë së Kosovës për luftë kundër krimit të organizuar.

“Me rritjen e kapaciteteve të policisë cdo herë ngritet edhe respekti për policinë por edhe imazhi i Kosovës karshi ndërkombëtarëve, ku dihet se në të gjitha proceset, sundimi i rendit dhe ligjit është ajo që kërkohet më së shumti prandaj ne jemi në rrugën e drejtë”, tha ministri Rexhepi.

Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, vlerësohet si forma më e vështirë e luftës kundër trafiqeve. Muajin e kaluar, Agjencia Amerikane për zhvillim ndërkombëtarë i dha fund një programi katër vjeçar për luftën kundër kësaj forme të trafikut,duke bërë të ditur se nëpërmjet atij projekti janë trajtuar mbi 630 raste në mesin e të cilave mbi 100 viktima të trafikimit dhe afro 500 raste te dhunës ne familje dhe forma tjera te dhunës dhe shfrytëzimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG