Lidhje

Ofron dorëheqjen Hajredin Kuçi – shkak Kodi Penal


Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi


Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, paraqiti dorëheqjen nga ky post dhe nga posti i ministrit të drejtësisë.

Vendimi i tij u bë publik vetëm pak kohë pasi që deputetët e Parlamentit të Kosovës votuan kundër ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës, i cili përfshinë dy nene që kanë të bëjnë me mediat.



Zoti Kuçi kishte paralajmëruar dorëheqjen e tij në rast se nuk ndodhin këto ndryshime.

Parlamenti i Kosovës la sot në fuqi Kodin Penal të miratuar më 20 prill, i cili përfshinë dy nene në të cilat thuhet veç tjerash se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre të informimit për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Miratimi i tij pati nxitur reagime të ashpra të organizatave të gazetarëve, por edhe shumë institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, më tetë maj, vendosi të rikthejë për rishqyrtim në Parlament Kodin e ri Penal.

Mirëpo, parlamenti sot hodhi poshtë propozimin e komisionit për legjislacion që të hiqen nga Kodi këto nene të diskutueshme.

Reagojnë gazetarët

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, reagoi menjëherë pas votimit të sotëm duke e cilësuar atë shprehje të tendencës diktatoriale ndaj lirisë së shtypit në Kosovë
.
Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës është tmerruar me rezultatin e votimit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal. AGPK konsideron se me këtë vendim, Kuvendi e ka fundosur lirinë e shtypit në Kosovë. Votimi i deputetëve tregon për papjekuri politike dhe tendenca diktatoriale ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, është shprehur i shqetësuar me vendimin e sotëm të Parlamentit.

Në një komunikatë të kësaj organizate thuhet se “miratimi i këtyre neneve të Kodit Penal, pa ndryshimin e tyre është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Unioni i Gazetarëve të Kosovës, është pro rregullimit të legjislacionit për mediet në Kosovë, duke përfshirë edhe Kodin Penal, por, kundërshton çdo lloj tendence e cila do ta dëmtonte lirinë e tyre dhe do ta vështirësonte punën e gazetarëve”.

Reagon edhe zyra e BE-së në Kosovë

Vendimi i Parlamentit nxiti zhgënjimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Samuel Zbogar. Në një komunikatë opinion ai ka theksuar se nenet e diskutueshme janë në kundërshtim me konventat e Bashkimit Evropian që mbrojnë lirinë e medias.

Nenet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negativ në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë. Bashkimi Evropian mbetet thellësisht e përkushtuar në nxitjen dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për forcimin e demokracisë së Kosovës. Mbi të gjitha, ky hap e lë Kosovën prapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë nenet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre”, thuhet në reagimin e zotit Zbogar.

Organizata ndërkombëtare “Freedom House”, e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG