Lidhje

Kosovë: Pensionistët me peticion për trajtim më të mirë


Kosovë: Pensionistët me peticion për trajtim më të mirë
Kosovë: Pensionistët me peticion për trajtim më të mirë

Në Kosovë, pensionistët kundërshtojnë miratimin e projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, duke e cilësuar atë diskriminues. Sot ata filluan mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve, të cilat do t’ua dërgojnë drejtuesve të institucioneve dhe faktorëve tjerë, për të shprehur kundërshtimin ndaj trajtimit të pensionistëve. Sipas ligjit, pensionet do të sillen nga 50 deri në 100 euro që për pensionistët paraqet një situatë të papranueshme. Hamdi Tasholli nga shoqatat e pensionistëve të Kosovës tha se pakënaqësitë kanë të bëjnë edhe me kategorizimin e pensioneve, çështje kjo e përfshirë në njërën nga pikat e ligjit.

“Është shumë qesharake se ai nen parashihet të zbatohet në vitin 2015 apo 2016 dhe pensionistët invalidor të punës dhe familjarët nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga ajo që kanë punuar që nga viti 1999. Nuk duhet fort të krenohemi se e kemi futur atë ligj, i cili i ka diskretituar pensionistët nga marrëdhënia e punës por edhe nga pensionistët e moshës të cilët e marrin një ndihmë dhe jo pension dhe ç’është më e çuditshme se në mënyrë uniforme ndahen pensionet”, tha zoti Tasholli.

Por, ministri i punës dhe mirëqenies sociale në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se gjendja aktuale e pensionistëve nuk është e mirë, mirëpo ka kërkuar mbështetjen e shoqatave të pensionistëve meqë ligji është i domosdoshëm.

“Unë e di që nevojat e pensionistëve, ky ligj nuk mund ti përmbush, por ligji është dinamik i cili krijon mundësi që pas disa viteve të kemi një kategorizim të pensioneve dhe për çdo një kohë të caktuar ne do të kemi një përmisim të skemave”, tha ministri Rashiq.

Zoti Tasholli thotë se pensionistët do të bëjnë përpjekje që në rrugë institucionale të sigurojnë një trajtim më të mirë duke u bërë thirrje institucioneve për një përkujdesje më të madhe për këtë kategori të popullsisë.

“Nuk e di se çfarë motivi duhet ta kenë ata që vendosin për këtë çështje, më të madh se sa t’iu lehtësojnë jetën prindërve të tyre, familjarëve dhe të jenë të kënaqur. Në përgjithësi janë 170 mijë pensionist dhe vetëm ta shumëzojmë me numrin 3, del se një numër i madh i popullatës së Kosovës është tepër i pakënaqur dhe kur kjo shtresë është e pakënaqur nuk duhet të jetë as pushteti i kënaqur me deklarata pompoze se kemi bërë shumë për pensionist”, tha zoti Tasholli.

Nëpërmjet peticionit ata kërkojnë që pensioni mesatar i tyre të jetë i barabartë me 60 për qind e pagës mesatare në Kosovë, e cila sillet diku rreth 350 euro. Por, sipas ministrit të punës, kjo është e pamundur në një shoqëri ku shkalla e papunësisë arrin në mbi 40 për qind.

“Nëse kemi një numër të njerëzve të rinj që janë të papunë dhe ne insistojmë që të gjitha mjetet që kemi ti investojmë vetëm në pensione, kjo do të thotë se ne nuk jemi menaxher të mirë. Ne po mendojmë për të ardhmen. Unë e çmoj kontributin e çdo pensionisti por ne jemi instrument i cili duhet të marr përgjegjësinë dhe të krijoj një balancë, të krijojë një mundësi për të gjithë”, tha ministri Rashiq.

Kosova kishte një fond pensionesh, i cili është tërhequr nga administrata serbe në përfundim të luftës dhe pensionistët kërkojnë që kjo çështje të jetë pjesë e bisedimeve me Beogradin të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ata tërheqin vërejtjen se mbijetesa e tyre vështirë se mund të sigurohet me skemën aktuale të pensioneve.

XS
SM
MD
LG