Lidhje

EULEX: Nuk ka varrezë masive në Zhilivodë


Kërkimet në fshatin Zhilivodë

Kërkimet në fshatin Zhilivodë

Pas dy vjet kërkimesh, autoritetet nuk kanë gjetur dëshmi që në këtë fshat të Kosovës qendrore të ketë trupa të serbëve të vrarë gjatë luftës.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit tha sot se nuk është gjetur asnjë dëshmi që në fshatin Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë në Kosovën qendrore të ketë një varrezë masive me trupat e serbëve të vrarë gjatë luftës.

Ky njoftim u bë zyrtar në përfundim të hulumtimeve dy vjeçare në këtë fshat.

Hapësira që ishte lëndë e interesimit dhe e cila ishte përcaktuar me urdhrin e gjykatës, përfshinte rreth shtatë mijë metra katrorë dhe përbëhej prej dymbëdhjetë minierave të thëngjillit të lidhura me tunele. Ato janë gërmuar përgjatë njëzet e katër javëve të punës më 2011 dhe gjatë këtij viti. Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve”, citohet të ketë thënë Krassimir Nikolov nga EULEX-i.

Në fund të gushtit të vitit 2010, autoritetet filluan hulumtime në fshatin Zhilivodë në një vend të dyshuar se mund të ketë trupat e mbi 20 pjesëtarëve të komunitetit serb të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Zona ku u kryen kërkimet është e njohur me miniera ku nxirret qymyr me metoda të vjetra. Nga mesi i muajit korrik, zona u përfshi nga zjarri, i cili sipas policisë së Kosovës dyshohet të jetë shkaktuar nga temperaturat e larta dhe shpërthimit të mundshëm të gazrave nëntokësore.

Përfaqësues të shoqatave të familjarëve të serbëve të zhdukur gjatë luftës, hodhën atëbotë dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm për të penguar gërmimet.

Zyrtarë të EULEX-it thanë sot se “zjarri nuk ka mundur ta shkatërrojë ndonjë dëshmi të mundshme meqë ai ishte sipërfaqësor”.

Autoritetet në Kosovë dhe Serbi, kishin planifikuar që gjatë vitit 2012 të zhvillohen kërkime në 36 vende të ndryshme, ku mendohet se mund të ketë trupa të të zhdukurve.

Edhe trembëdhjetë pas luftës, ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 700 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG