Lidhje

Kosovë, përgatitje për regjistrimin e parë të popullsisë


Kosovë, përgatitje për regjistrimin e parë të popullsisë
Kosovë, përgatitje për regjistrimin e parë të popullsisë

Dy javët e para të muajit prill të këtij viti do të jenë periudha e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, për herë të parë pas 30 vjetësh. Për herë të parë Kosova do të bëjë regjistrimin në të njëjtën kohë dhe me mbështetjen edhe financiare të Bashkimit Evropian. Kryetari i komisionit shtetëror për këtë regjistrim Rifat Blaku tha sot se kjo paraqet ngjarjen kryesore të vitit 2011.

“Republika e Kosovës shënon edhe një progres sepse po hyn në kuadër të shteteve të cilat prodhojnë statistika të besueshme, të qëndrueshme, të matshme, të krahasueshme dhe është një nga shtyllat tepër të rëndësishme për funksionimin e shtetit”, tha zoti Blaku.

Por, ende është e paqartë se si do të zhvillohet ky proces në zonat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, ku nuk njihen dhe pranohen institucionet e Prishtinës. Përfaqësues të komunitetit serb në atë pjesë thanë se nuk ka kushte për regjistrim të popullsisë ndërsa akuzuan Prishtinën se po synon përfitime politike, një qëndrim ky edhe i Beogradit zyrtar, i cili ka shtyrë procesin e regjistrimit deri në vjeshtën e këtij viti. Zoti Blaku thotë se procesi nuk duhet të ketë ngjyrime politike dhe se i tëri do të jetë i njëjtë për tërë Kosovën.

“Edhe njëherë po e nënvizoj që projekti nuk është politik dhe nuk duhet të politizohet. Ne nuk jemi ata të cilët konstatojmë se kush dhe si do të pozicionohet, as më pak për serbët ose qëndrimet e një shteti tjetër”, thotë zoti Blaku.

Procesi i regjistrimit pritet të krijojë një pasqyrë më të qartë demografike, që Kosova nuk e kishte për një kohë të gjatë dhe deri tash të gjitha statistikat janë bërë në bazë të vlerësimeve të përafërta demografike. Sipas zotit Blaku, vlerësimet e tilla janë të përafërta me atë që pritet të dëshmojë regjistrimi i muajit prill.

“Përafërsisht duhet të jetë diku rreth 1 milion e 900 mijë apo 2 milion rezident brenda vendit si dhe mbi 500 mijë në forma të ndryshme të emigracionit, qoftë si emigrant ekonomik, azil kërkues, refugjat apo si gjenerata e dytë dhe e tretë”, tha zoti Blaku.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët bojkotuan regjistrimin që po bëhej nga Beogradi. Regjistrimi i atij viti fliste për rreth 200 mijë banorë serb në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë hedhin poshtë pretendimet e Beogradit se numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova është rreth 250 mijë.

XS
SM
MD
LG