Lidhje

Kosovë: Përkujtohet 2 korriku i vitit 1990

  • Leonat Shehu

Kosovë: Përkujtohet 2 korriku i vitit 1990

Kosovë: Përkujtohet 2 korriku i vitit 1990

Në ditën e sotme të vitit 1990, Parlamenti i atëhershëm i Kosovës, miratoi në gjendje shtetrrethimi, një deklaratë të posaçme kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në federatën e atëhershme jugosllave, e cila u bë e njohur si deklarata e pavarësisë.

Tri ditë më pas autoritetet serbe shpërndanë Parlamentin e Kosovës dhe mbyllën mjetet kryesore të informimit në Kosovë. 21 vjet më pas, Kosova ka hyrë në vitin e katërt të pavarësisë së saj të njohur nga 76 vende të botës. Dy korriku edhe sot e kësaj dite cilësohet si një nga ngjarjet me të rëndësishme që shënuan kthesë historike në përpjekjet e Kosovës për pavarësinë e saj. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi tha se kjo datë është shembulli më i mirë se si institucionet e një vendi pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve...

“Natyrisht koha e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe rënia e atij sistemi, ndikoi pozitivisht në ndërgjegjësimin e secilit qytetar të Kosovës, por mbi të gjitha në kohezionin nacional që ndodhi në atë kohë dhe besoj që data e dy korrikut është shembulli më i mirë se si institucionet e një vendi reflektojnë vullnetin e qytetarëve të atij vendi”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Deputeti i atëhershëm, Muharrem Shabani, kishte lexuar deklaratën kushtetuese e cila ishte mbajtur në oborrin e Parlamentit të cilin e kontrollonte administrata dhe policia serbe. Ai thotë se deklarata ka shpreh vullnetin e popullit të Kosovës.

“Ai vullnet i akumuluar i popullit ndoshta në shpirtin dhe zemrat e tyre u shpreh me deklaratën e dy korrikut. Minatorët në minierën e Trepçës, studentët në palestra sportive, qytetarët, intelektualët, akademia e shkencave në të gjitha format shprehnin vullnetin, të cilin ne e akumuluam në deklaratën kushtetuese të dy korrikut”, tha zoti Shabani.

Deputetet e asaj kohe shprehen të bindur se po të mos ishte 2 korriku i vitit 1990, vështirë se do të ishte edhe 17 shkurti i vitit 2008.

XS
SM
MD
LG