Lidhje

Parlamenti nderon Dino Asanajn


Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës

Autoritetet thonë se po hetojnë intensivisht rreth vdekjes së Dino Asanajt, i cili ndërroi jetë dje si pasojë e plagëve nga goditjet me thikë.


Parlamenti i Kosovës u mblodh sot në seancë përkujtimore, për të nderuar drejtorin e bordit të Agjencisë së Privatizimit në Kosovë, Dino Asanaj, i cili ndërroi jetë dje si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me thikë.

Policia e Kosovës tha se 55 vjeçari Asanaj u gjet në zyrën e tij private në periferi të Prishtinës, i plagosur rëndë nga goditjet me thikë dhe ndërroi jetë më pas në spital.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë informacione mbi autorët e mundshëm apo motivet e këtij akti dhe sipas tyre, po ndiqen disa pista hetimesh.

Prokurori i çështjes, Blerim Isufaj, i tha Zërit të Amerikës se është ende herët të thuhet nëse bëhet fjalë për vrasje apo vetëvrasje, duke bërë thirrje që çështja t’u lihet në duar organeve të drejtësisë.

Një pjesë e shtypit në Prishtinë duke ju referuar burimeve të paidentifikuara, thotë se mund të bëhet fjalë për vetëvrasje, një teori për të cilën ekzistojnë dyshime të thella për faktin se ai u gjet me disa plagë të shkaktuara nga thika.

Vdekja e zotit Asanaj nxiti shumë reagime të institucioneve vendase e ndërkombëtare, ndërsa la të hapura shumë debate mbi rrethanat por edhe motivet të kësaj ngjarjeje.

Shqiptaro-amerikani, Dino Asanaj, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1985. Gjatë luftës së Kosovës veproi si përfaqësues i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa për një periudhë pas luftës, ai shërbeu si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas shpalljes së pavarësisë ai u emërua në postin e drejtorit të bordit të Agjencisë së Privatizimit në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme përkujtimore, kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, vlerësoi lartë angazhimet e zotit Asanaj për Kosovën.

Kulmin e angazhimit ne karrierën politike, Asanaj e arriti si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të një rëndësie të veçantë kanë qenë veprimet e pareshtura që ai bëri për afirmimin e luftës sonë çlirimtare, ne qarqet politike e diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për përfaqësimin e Kosovës dhe interesave të saja, fill pas çlirimit”.

Zoti Krasniqi tha se i ndjeri Asanaj, luajti një rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të procesit të privatizimit, si një prej proceseve më me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.

Dino ishte i ndërgjegjshëm për kompleksitetin e këtij misioni të ri, por njëkohësisht edhe për rëndësinë jetike që ka procesi i privatizimit në fazën e tranzicionit zhvillimor të një vendi të rrënuar ekonomikisht, siç ishte Kosova. Dino Asanaj, ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur. Dhe duhet thënë këtu, që me virtytet e tija të larta, ai kishte shumë miq, të cilëve do t’u mungojë gjatë. Ai do t’i mungojë edhe Kosovës për të cilën u angazhua aq shumë dhe aq gjatë”, tha zoti Krasniqi.

Edhe sot, zyrtarë institucionesh e partish politike u bënë thirrje organeve të rendit të ndriçojnë sa më parë këtë ngjarje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG