Lidhje

Decentralizimi i (pa) përfunduar në Kosovë


Procesi i decentralizimit ka ngecur në veriun e Kosovës, ku ende nuk është ngritur komuna e re më shumicë serbe në veriun e Mitrovicës


Dhjetë shtatori do të jetë ditë e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, por jo edhe e përmbylljes së procesit të decentralizimit të pushtetit, siç ishte paraparë më planin e krye negociatorit Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Sipas këtij plani, veriu i Mitrovicës i banuar me shumicë serbe duhet të shndërrohet në komunë dhe kjo çështje do të duhej të përfundohej nga Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila mbikëqyrë zbatimin e planit të zotit Ahtisaari.

Por, zoti Pieter Faith, shef i kësaj zyreje, që do të mbyllet muajin e ardhshëm, tha se krijimi i kësaj komune mbetet punë për të tjerët.

Veriu mbetet sfida më e madhe e procesit të decentralizimit në Kosovë, por jam i kënaqur që sot mund të shënojmë përparim në procesin e decentralizimit në veriun e Kosovës nëpërmjet zyrës administrative në veri të Mitrovicës”, tha zoti Faith, i bindur se qytetarët në veri, po fillojnë ta shohin këtë proces si mundësi për të zgjidhur problemet e jetës së përditshme.

E nxisë qeverinë që të shfrytëzojë këtë situatë pozitive për t’i ofruar dorën e miqësisë dhe ripajtimit komunitetit serb në veri”, tha zoti Faith.



Ndërsa, ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracey Ann Jacobson, tha se decentralizimi është rruga më e mirë për të betonuar synimet e Kosovës për ndërtimin e shoqërisë demokratike, paqësore e tolerante.

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të shohin zbatimin e plotë të parimeve të propozimit gjithëpërfshirës të zotit Ahtisaari përfshirë edhe ngritjen e komunës veriore të Mitrovicës”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se procesi i decentralizimit deri tash ka dëshmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës, për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Bazuar në shembujt e suksesit lidhur me decentralizmin dhe krijimin e komunave te reja në Kosovë, lirisht mund të themi që kemi shënuar progres substancial në përmirësimin e klimës ndër etnike dhe integrimin e minoriteteve. Kemi arritur që qytetarëve t’u mundësojmë të vendosin vetë për gjërat që ndërlidhen me vetë-qeverisjen lokale”, tha kryeministri Thaçi.

Ministri i pushtetit lokal Slobodan Petroviç, tha se tërë procesi është përshkuar nga shumë sfida posaçërisht në veriun e Kosovës.

Ende kemi shumë punë në funksionalizimin e tri komunave në veri sikundër edhe për ngritjen e komunës së re të Mitrovicës së veriut”, tha ai, duke nënvizuar se suksesi i këtij procesi në pjesën tjetër të Kosovës mund dhe do të shërbejë si shembull edhe për atë zonë, ku nuk njihen dhe nuk pranohen ende institucionet e Prishtinës.

Sidoqoftë, data dhjetë shtator parashihet të shënojë fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe mbase fillimin e një periudhe të re të përballjes me situatën në veri, të pandryshueshme pothuajse që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
XS
SM
MD
LG