Lidhje

Kosovë: Presidenca e mirëpret arritjen e marrëveshjes me Serbinë


Kosovë: Presidenca e mirëpret arritjen e marrëveshjes me Serbinë
Kosovë: Presidenca e mirëpret arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Presidenca e Kosovës e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës. Marrëveshja e cila u arrit me ndërmjetësimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, parasheh që vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës të mbeten nën kontrollin e KFOR-it deri nga mesi i muajit shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Arbër Vllahiu, thotë se arritja e marrëveshjes është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë dhe një veprim i arsyeshëm që e zhbllokon gjendjen e krijuar në komunat veriore të Kosovës dhe në vendkalimet kufitare të saj në veri.

“Angazhimi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në atë që palët t’i kthehen dialogut dhe që të gjejnë zgjidhje të përshtatshme dhe të dobishme, si dhe konkretisht angazhimi i KFOR-it në kuadër të mandatit të tij për ruajtjen e pacenueshmërisë së kufijve dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe parandalimin e trazirave ndëretnike dhe në kuadër të mandatit të dhënë nga institucionet e Kosovës ishte frytdhënës, që mundësoi arritjen e marrëveshjes, e cila siguron lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në gjithë territorin e Kosovës. Ky është parim i demokracisë dhe nga kjo përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike apo fetare”, thotë ai.

Zoti Vllahiu, thotë se Presidenca e Kosovës angazhohet që nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjeve, të zgjidhen të gjitha çështjet me Serbinë.

"Agjenda në Bruksel, që palët dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së, është alternativa e vetme deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane, që e kanë të ardhmen e përbashkët në rrugën e integrimeve euroatlantike. Këtë rrugë mund ta kalojmë me sukses vetëm duke bashkëpunuar, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke i zgjidhur të gjitha çështjet dhe problemet praktike në modelin e standardeve evropiane", thotë ai.

Marrëveshja e arritur është mbështetur nga të dyja palët. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se marrëveshja parasheh që të ruhet gjendja e re e krijuar në vendkalimet në veri dhe se më këtë ujdi vendimet e mëhershme të qeverisë për masat e ndërsjella tregtare me Serbinë dhe vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare mbeten në fuqi dhe do të zbatohen plotësisht. Kryeministri Thaçi e cilësoi marrëveshjen dhe hapat e qeverisë së tij si një nga arritjet më të mëdha të institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, Borisllav Stefanoviç dhe Goran Bogdanoviç, u kanë bërë thirrje përfaqësuesve lokalë serbë dhe protestuesve që po mbajnë të bllokuara rrugët në veri, që të mbështesin marrëveshjen për tejkalimin e gjendjes në atë pjesë.

Shefi i delegacionit të Serbisë për bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, u tha atyre se marrëveshja është mbështetur nga qeveria e Serbisë dhe presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe në rrugë paqësore mund të mbrohen interesat e ligjshme”.

Përfaqësuesit lokal të serbëve në veri pritet që gjatë ditës së sotme të vendosin nëse do të largojnë bllokadat e rrugëve apo jo.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan më 25 korrik një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Përfaqësuesit e Beogradit kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme një kërkesë kjo që është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG