Lidhje

Kërkohet zbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, kërkuan zbatimin e plotë të marrëveshjeve Kosovë – Serbi.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, thanë sot se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë rruga e zgjidhjes së problemeve të ndërsjella, ndërsa theksuan nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash në këto bisedime.



Ata i bënë këto komente gjatë takimit në Bruksel, ku po qëndron presidentja Jahjaga, për të takuar zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian. Mikpritësi i saj, zoti Van Rompuy, nënvizoi nevojën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ai tha se bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian çuan në rezultate të rëndësishme.

Është sfidë e përbashkët për të siguruar që të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet Prishtinë – Beograd, të zbatohen shpejt dhe në tërësi, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me vendkalimet kufitare dhe bashkëpunimin rajonal”, tha ai duke nënvizuar se palët duhet ta trajtojnë situatën në veri të Kosovës për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë atje.

Mbetem i bindur se vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është rruga më e mirë për të arritur përparim dhe për të siguruar qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejmë në rajon që është qëllimi kryesor i Bashkimit Evropian”, tha ai.

Presidentja Jahjaga tha se marrëveshjet lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit dhe shtendosin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por zbatimi i tyre po ngec për shkak të Beogradit.

Nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian, që të gjejë mekanizmat për mbikëqyrjen dhe garantimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve”, tha presidentja Jahjaga, duke nënvizuar se Kosova pret që Serbia të normalizojë dhe të vendosë marrëdhënie normale fqinjësore me të, sepse kjo është në interes të dy vendeve tona dhe qytetarëve të tyre.

Ky do të ishte një faktor paqeje dhe qëndrueshmërie, që ndikon drejtpërdrejt në shpërbërjen e strukturave paralele dhe mënjanimin e strukturave kriminale në tri komunat në veri të territorit të Kosovës. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë që ne t’i gjejmë zgjidhjet për të gjitha çështjet dhe që bashkërisht duke i ndihmuar njëri tjetrit të ecim drejt integrimeve euro-atlantike”, tha zonja Jahjaga, e cila nga mikpritësi i saj mori zotimet se Kosova ka ardhmëri evropiane.

Të dy janë pajtuar se viti 2012 ishte një vit i frytshëm sa u përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian duke numëruar në këtë kuadër, hapjen e dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit, të studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe të procesit të liberalizimit të vizave.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar të përmbushë pritjet e Bashkimit Evropian për shtimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, reformat gjyqësore dhe ato në administratën publike.

Presidentja Jahjaga pritet të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Bashkimit Evropian për të diskutuar sfidat në rrugën drejt integrimeve përfshirë edhe praninë e BE-së në Kosovë pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të këtij viti.
XS
SM
MD
LG