Lidhje

Jahjaga: Vendimi i kushtetueses – detyrues


Presidentja e Kosovës tha sot se është e detyruar të zbatojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha sot se opinioni i Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara të Kushtetutës së Kosovës, “është vendim përfundimtar në këtë çështje i autoritetit më të lartë kompetent e të pavarur të vendit”.
Në një komunikatë të zyrës së presidentes thuhet se në bazë të mandatit të saj për mbrojtjen e ligjit dhe kushtetutës, është e obliguar ta zbatoj.

Në një kohë, kur më është kërkuar ta marrë mandatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, unë me përkushtim dhe përgjegjësi e kam pranuar këtë detyrë. Duke mos qenë pjesë e marrëveshjes politike, por rezultat i saj, zgjedhja ime me votimin në Parlamentin e Kosovës, me të cilën zgjedhje u kapërcye kriza, u bë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën”, thuhet reagimin e presidentes në të cilin nënvziohet se “vendimi i Gjykatës u jep përkrahje të plotë aspekteve të marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar dhe unë do të respektoj dhe zbatoj ato”.

Në reagim thuhet se ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës e gëzojnë mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe udhëheqësit janë të obliguar ta dëgjojnë zërin e qytetarëve.



Opinioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e presidentit, u mbështet sot nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar. Në një komunikatë për opinion, zoti Zbogar mirëpret mendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke nënvizuar se ky vendim sikurse edhe ai i para disa ditëve mbi dy ligje që kanë të bëjnë me trashëgimin kulturore tregojnë se Gjykata mund të luajë rolin si mbrojtëse e Kushtetutës së Kosovës.

"Është trimëruese të shihet se si Gjykata Kushtetuese ka ngritur tashmë veten si një institucion i pavarur, i cili ka besimin e të gjitha shtresave të shoqërisë. Besoj se institucionet tani do të bëjnë maksimumin e tyre për të siguruar zbatimin e shpejtë të vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e zotit Zbogar.

Të premten Gjykata shpalli opinioni e saj se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

Opinioni i Gjykatës u mbështet nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, u zotua për respektim të tij ndërsa bëri thirrje që njësoj të jetë edhe me forcat politike të vendit.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për ndryshimin e kushtetutës, që kishte hartuar edhe nenet e shqyrtuara nga Gjykata kushtetuese, Arsim Bajrami, tha se opinioni i Gjykatës paraqet ndërhyrje në procesin Kushtetutë dhënës dhe se kjo mund të shihet edhe si ndërhyrje në përgjegjësitë e Parlamentit për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës.

Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte dërguar që në pranverën e hershme njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament dhe prej andej ato ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte kërkuar një opinion të presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj, ndërkaq ka theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011 pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

Marrëveshja kishte mundësuar tejkalimin e situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jo kushtetuese.

Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta.

Partitë politike të përfshira në proces, janë treguar më të rezervuara në komentimin e opinionit të Gjykatës, në pritje të publikimit të opinionit të plotë të saj. Ditët në vijim pritet të shihet se si do të pasqyrohet opinioni i gjykatës në procesin e reformave kushtetuese në Kosovë.
XS
SM
MD
LG