Lidhje

Kushtetuesja: Ndërprerja e mandatit të presidentes – jo kushtetues


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Gjykata Kushtetuese vlerëson se një pjesë e amendamenteve të propozuara lidhur me postin e presidentit, nuk janë në pajtim me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi sot se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

Vendimi është pjesë e një opinioni të Gjykatës e cila vlerëson se tetë nene të propozuara që kanë të bëjnë me pozitën dhe rolin e presidentit të Kosovës, “duket se pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin e dytë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të”.

Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte dërguar që në pranverën e hershme njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament dhe prej andej ato ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte kërkuar një opinion të presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj, ndërkaq ka theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011 pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.



Marrëveshja kishte mundësuar tejkalimin e situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jo kushtetuese.

Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.
Atëbotë parlamenti miratoi edhe një rezolutë, me të cilën përkrahte marrëveshjen. Mirela

Reagime për vendimin e gjykatës kushtetuese

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se nuk është i befasuar dhe nuk është çështje dramatike që “në një situatë të pazakonshme, gjykata të gjejë që komisioni ka marrë vendime që nuk janë në pajtim me interpretimin e Kushtetutës nga ana e Gjykatës dhe siç e dini janë tetë të tilla në kuadër të pakos më të gjerë të ndryshimeve të propozuara”. Çështja e vendimit për presidenten tha ambasadori Dell, duhet të shihet në kontekstin e vet. Marrëveshja politike, që çoi në zgjedhjen e presidentes Jahjaga, ishte bërë me qëllim të mirë nga të gjitha palët. “Ajo që nuk është kuptuar në atë kohë është qëndrimi që do të mbajë Gjykata rreth çështjes së shkurtimit të mandatit. Ky është tash një fakt politik dhe duhet ta pranojmë atë”, tha zoti Dell duke nënvizuar se reformat e propozuara janë ende në fuqi dhe është e rëndësishme të vazhdohet. Ai tha se është në duart e komisionit dhe partive politike që të vazhdojnë procesin. “Në fund të fundit, jemi në demokraci dhe ata shërbejnë për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve, dhe jo të disa politikanëve apo pronarëve mediesh që kanë ambicie politike”.

Procesi ishte pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për situatën politike në prillin e kaluar dhe nuk kishim një sferë kristali për të paraparë gjërat”. Ambasadori Dell tha se marrëveshjet që mund të bënë politikanët nuk mund të jenë mbi Kushtetutën, ndërsa shfaqi shpresën se, sikundër ka ndodhur edhe në të kaluarën, vendimet e Gjykatës do të respektohen dhe mirëpriten.

Në intervistën në të cilën flet edhe për çështje të tjera, ambasadori Dell vlerësoi lartë rolin dhe punën e presidentes Jahjaga, veç tjerash duke përmirësuar edhe imazhin ndërkombëtarë të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mbështeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e plotë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në një deklaratë për opinion ai thekson se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, të cilin e mbështes dhe respektoj plotësisht si kryeministër i Kosovës. Po ashtu, si kryeministër, shpreh vlerësimin e lartë për institucionet dhe klasën politike të Kosovës, që kanë etabluar një traditë të mirë të respektimit të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Respektimi i vendimeve të gjykatës nuk duhet të jetë vetëm rezultat i vullnetit por edhe shprehje e pjekurisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të institucioneve të pavarura. Prandaj, si lider politik dhe institucional, i respektoj vendimet e gjykatës dhe apeloj që paralelisht të punojmë në reformat kushtetuese dhe zgjedhore. Ne kemi shumë punë para nesh lidhur me reformat e mëdha na presin drejt rrugës së integrimeve euroatlantike. Në momente si ky, për kundër pakënaqësive që mund të shkaktohen në kontekstin e ngushtë partiak apo personal, ne e kemi për detyrë t’i tejkalojmë interesat individuale dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët. Unë kam besim në pjekurinë tonë politike
”, thuhet në reagimin e kryeministrit Thaçi.

Kundërshton kryetari i Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës
Kryetari i Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, ka shprehur mospajtimin e tij me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një deklaratë për opinion, ai thekson se “vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese tejkalon limitet e përcaktuara të juridiksionit të saj konform nenit 144 të Kushtetutës së Kosovës, sepse asnjëra nga amendamentet e vlerësuara nuk bien ndesh me kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës, për arsye se amandamentet e kontestuara nga Gjykata Kushtetuese janë edhe praktikë e kushtetutave më moderne të botës, të cilat komisioni i ka marrë si model gjatë procesit të ndryshimit të kushtetutës. Interpretimi i Gjykatës, ashtu siç është dhënë, është i paqartë dhe jo konkret sepse nuk citon ndonjë nen të kushtetutës, konkretisht të kapitullit II të saj, por vetëm shfaq dyshime në interpretim duke përdorur shprehjen “duket se pakëson”, shprehje kjo e cila lë hapësirë për interpretime të dyfishta dhe alternative”.

Zoti Bajrami thekson po ashtu se “një interpretim i tillë i ngushtë paraqet ndërhyrje të kësaj Gjykate në procesin Kushtetutëdhënës, njëherësh kjo mund të shihet edhe si ndërhyrje në kompetencat e Parlamentit për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës. Kjo tendencë e interpretimit të ngushtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, në të ardhmen mund të paraqet një precedent, sa i përket qasjes ndaj ndryshimeve kushtetuese dhe kjo tendencë e interpretimit automatikisht e shndërron Gjykatën Kushtetuese në “autorë” të ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht në pushtet të katërt, gjë që bie në kundërshtim me parimin fundamental kushtetues të ndarjes së pushteteve”.
XS
SM
MD
LG