Lidhje

Kosovë: Pushteti dhe opozita të ndarë rreth bisedimeve me Serbinë

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Kosovë: Pushteti dhe opozita të ndarë rreth bisedimeve me Serbinë

Kosovë: Pushteti dhe opozita të ndarë rreth bisedimeve me Serbinë

Parlamenti i Kosovës miratoi sot me 63 vota për dhe 48 kundër, një Rezolutë në mbështetje të bisedimeve me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Miratimi i Rezolutës ndodhi një ditë pas takimit dyditësh të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, që ishte edhe takimi i parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Hartuesit e Rezolutës thanë se ajo do t'i japë një rol shtesë Parlamentit për mbikëqyrjen e procesit të filluar të bisedimeve. Por, kundërshtarët e saj mendojnë të kundërtën.

Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se Parlamenti nuk duhet të jetë vetëm dekor i qeverisë.

“Roli i Kuvendit të fuqizohet, të luaj rolin e vet kushtetues dhe vendimmarrës e jo të jetë dekor. Qeveria e Republikës së Kosovës ti nënshtrohet vullnetit dhe vendimeve të Kuvendit nga i cili është zgjedh dhe jo të ndodh e kundërta”, tha zoti Beqiri.

Ndërsa, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se kishte kërkuar që në Rezolutë të ketë një qëndrim të qartë kundruall çështjeve që nuk mund të debatohen në bisedimet me Serbinë.

“Kosova nuk do të pranojë që të bëjë kurrfarë bisedime për çfarëdo aspekti të rregullimit të brendshëm dhe as për ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me rregullimin e shtetit, siç janë, aspektet e policisë, doganave, gjykatave, numrin e komunave, rregullimin territorial të komunave, etj”, tha zoti Gjini.

Ndërsa Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kjo parti është kundër çfarëdo bisedimesh me Serbinë përderisa ajo nuk ndryshon qasjen ndaj Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që këtë rezolutë ta hedhin poshtë për shkak se është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës për ta mbrojtur interesin e qytetarëve dhe interesi i qytetarëve nuk mbrohet me negociata me Serbinë, pikërisht ky interes dhe vullneti i tyre politik cenohet në negociata me Serbinë”, tha zoti Ymeri.

Qeveria e Kosovës mirëpriti Rezolutën, ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi u zotua për forcimin e rolit të Parlamentit në procesin e bisedimeve përfshirë edhe opozitën.

“Qeveria e Kosovës do t'i inkuadrojë në kuadër të grupeve teknike punuese ekspertët nga partitë politike opozitare dhe shoqëria civile. Ky është një proces që nuk bëjmë garë njëri me tjetrin, por një proces që prezanton dhe fuqizon Kosovën në bisedime por njëkohësisht edhe përball faktorit ndërkombëtar”, tha zoti Kuqi.

Pavarësisht debateve në Parlament, bisedimet tashmë filluan të martën. Lëvizja e lirë, dokumentet kadastrale, çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjeve rajonale, ishin çështjet e para të diskutuara në këto bisedime që nga të dyja delegacionet dhe ndërmjetësuesit evropian u cilësuan si konstruktive.

Përfaqësuesit e të dyja palëve pritet të shpeshtojnë takimet në muajt që vijnë dhe diplomatët ndërkombëtarë shpresojnë në afrimin e të dyja palëve dhe shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira për shkak të refuzimit të Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tash e kanë njohur 75 vende të botës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG