Lidhje

Kosovë: Ish-kryeministri Ramush Haradinaj mbërrin në Prishtinë


Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj arriti sot në Prishtinë, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë, që ta lirojë përkohësisht atë. Ai arriti në shtëpi i shoqëruar nga forcat e EULEX-it dhe nën kushte të rrepta që nënkupton lëvizje të kufizuar dhe që të mos ketë asnjë përfshirje në veprimtari politike apo paraqitje publike.

Lirimi i tij i përkohshëm do të zgjasë deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës në procesin kundër tij.

Më 2 maj Gjykata vendosi që më 25 dhe 26 qershor të këtij viti, të mbahen seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij.

Gjykata ka kërkuar që deklaratat përfundimtare të prokurorisë dhe të mbrojtjes të paraqiten me shkrim deri më 11 qershor.

Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat për siç thuhet trajtim mizor dhe torturë.

Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 19 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG