Lidhje

Kosovë: Reagime pas ndërprerjes së protestave të lëvizjes Vetëvendosje


Kosovë: Reagime pas ndërprerjes së protestave të lëvizjes Vetëvendosje
Kosovë: Reagime pas ndërprerjes së protestave të lëvizjes Vetëvendosje

Në Kosovë, autoritetet mirëpritën vendimin e lëvizjes Vetëvendosje për të ndërprerë protestat me të cilat ajo synonte të nxisë zbatimin e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje akuzoi qeverinë për siç tha, pamundësim të vazhdimit të protestave, ndërsa paralajmëroi se do të vazhdojë përpjekjet për nxitjen e zbatimit të këtyre masave edhe me forma të tjera të veprimit.

Lëvizja Vetëvendosje i dha fund pas mesnatës protestës në afërsi të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me të cilat synonte të nxisë zbatimin e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Temperaturat e ulta bënë që pjesëmarrja të zvogëlohet, ndërsa veprimtarët e kësaj lëvizjeje thanë se për shkak të kufizimeve në aspektin logjistik dhe të ftohët, ishte bërë i pamundur qëndrimi i sigurt i protestuesve.

Sekretari i lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj tha se protesta e djeshme dëshmoi se 14 janari ishte pasojë e një veprimi politik për ndërhyrje të dhunshme pa asnjë arsye.

“Vetëvendosja në të dyja protestat edhe me 14 janar dhe 22 janar ka pasur të njëjtin skenar, ndërsa nga ana e pushtetit ishin dy skenar dhe kjo i bien që njëri nga skenarët është gabim dhe që qeveria e Kosovës duhet të vendosë, a është gabim skenari i 14 janarit apo i 22 janarit. Ne besojmë fuqishëm se vendimet e qeverisë së Kosovës me 14 janar janë vendime politike për ta shtypur rezistencën e qytetarëve përkundër një pushteti që po bëhet policor dhe autoritar”, tha zoti Molliqaj.

Ndërkaq ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, tha se autoritetet janë të kënaqura me faktin se policia nuk pati nevojë të ndërhyjë, ndërsa mohoi të ketë pasur veprime për të penguar furnizimin e protestuesve siç ishte planifikuar nga Vetëvendosje.

“As ushqimi, as uji dhe as batanijet kemi thënë në asnjë mënyrë të mos pengohen, ndërsa për tenda natyrisht që kemi thënë se mund t'iu merren përkohësisht, për arsye se ne kemi e paramenduar nëse tendat vendosen në rrugë ose në gjysmën e rrugës edhe e pengojnë, ajo vazhdimisht do të kërkonte një energji edhe një mundësi potenciale e dhunës, prandaj në këto raste kjo ka qenë arsyeja kryesore”, tha ministri Rexhepi.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se ndërprerja e protestave nuk paraqet dështim të lëvizjes Vetëvendosje.

“Më vjen mirë që ata kanë marr vendimin për ta ndërprerë, por konsideroj që edhe mocioni që është votuar në seancën e kaluar e obligon qeverinë për të respektuar reciprocitetin. Konsideroj që vendimi për të ndërprerë protestën dhe për t'iu kthyer punës në institucione, e vlerësoj si një vendim dhe mendim shumë të arsyeshëm”, tha zoti Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje nuk pajtohet me mocionin e ri të miratuar të premten nga Parlamenti i Kosovës me të cilin u shfuqizua mocioni i 7 dhjetorit që detyronte qeverinë të zbatojë reciprocitet të plotë me Serbinë. Drejtuesit e vetëvendosjes thanë pas përmbylljes së protestave ato do të vazhdojnë edhe në forma të tjera, ndërsa kanë paralajmëruar shqyrtimin e mundësisë që çështjen e mocionit mbi reciprocitetin me Serbinë ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

XS
SM
MD
LG