Lidhje

Kosovë: Reagime pas përplasjeve të dhunshme në Prishtinë

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Kosovë: Reagime pas përplasjeve të dhunshme në Prishtinë

Kosovë: Reagime pas përplasjeve të dhunshme në Prishtinë

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha sot se institucionet janë vendi ku duhet të zgjidhen të gjitha problemet dhe jo rruga. Ajo i bëri këto komente një ditë pas përplasjeve të dhunshme në Prishtinë ndërmjet policisë dhe grupeve të protestuesve që po kundërshtonin vizitën e shefit të delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviç. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po e ndërton demokracinë dhe po nxitë të drejtat dhe liritë qytetare, por ndonjëherë nuk po arrin atë që dëshiron në këto procese.

“Për mua, si Presidente e vendit më dhemb kur edhe sot djem dhe vashat e Kosovës dalin nëpër rrugë për të demonstruar për synimet e veta politike apo për të paraqitur ndonjë kërkesë apo për të parashtruar ndonjë brengë. Gjithashtu është e dhimbshme që në anën tjetër i kemi policët tanë të Kosovës që mbrojnë rendin dhe ligjin. Nuk është e mirë për askënd që ne nuk kemi krijuar mekanizma të marrëveshjes, nuk kemi krijuar rrethana që jo rruga por institucionet janë vendi ku gjendet zgjidhja”, - tha presidentja Jahjaga.

Zhvillimet e djeshme që lanë pas vetes 21 të plagosur nga radhët e protestuesve të lëvizjes Vetëvendosje dhe policisë së Kosovës, nxiti qëndrime të ndryshme të qeverisë e cila e dënoi dhunën e protestuesve dhe të lëvizjes Vetëvendosje e cila akuzoi qeverinë për lejimin e vizitës së krye negociatorit serb. Shefja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, Edita Tahiri tha se kjo vizitë ishte edhe rrjedhojë e këshillimeve të miqve ndërkombëtarë. Ajo tha se kjo vizitë është një shenjë se mbase Serbia po e njeh realitetin në Kosovës. Një realitet ajo e cilësoi edhe reagimin e protestuesve.

“Sepse reagimi i djeshëm i qytetarëve të Kosovës ishte reagim ndaj gjenocidit që Serbia e ka bërë këtu gjatë luftës. Unë mendoj se ky ka qenë një mesazh edhe për vet zotin Stefanovic, për Serbinë por edhe për botën që kur bëhet një gjenocid nuk harrohet kurrë. Mundet që shteti dhe populli të merr vendim që të shikoj përpara por historia nuk harrohet”, - tha zonja Tahiri.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që filluan më tetë mars të këtij viti të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, do të vazhdojnë më 17 dhe 18 maj dhe kësaj radhe në tryezën e bisedime do të shtrohet edhe çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Pajazit Nushi i cili do të drejtojë grupin punues teknik për këtë çështje tha se këto bisedime synojnë të përshpejtojnë procesin e ndriçimit të fatit të rreth 1 mijë e 800 personave.

“Ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në gjetjen e varrezave të reja sikurse edhe në identifikimin e mbetjeve mortore të cilat për një kohë të gjatë janë në institucionet tona qoftë në Prishtinë ose në Bosnje, ky proces do të përshpejtohet ndonëse është shumë i ndërlikuar dhe është shumë më i ndërlikuar sepse nuk jemi në gjendje edhe ne të paramendojmë”, - tha zoti Nushi.

Çështja e të zhdukurve është pjesë e raportit të organizatës Amnesty International e cila në raportin e fundit nënvizon se Kosova dhe Serbia kanë bërë pak përparim në zbardhjen e fatit të atyre që llogariten sit ë zhdukur që nga lufta e vitit 1999.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG