Lidhje

Kosovë: Reagime për raportin e progresit

  • Leonat Shehu

Kosovë: Reagime për raportin e progresit

Kosovë: Reagime për raportin e progresit

Raporti i progresit për Kosovën po komentohet ndryshe nga pushteti dhe opozita në Kosovë. Derisa pushteti e quan raport real dhe udhërrëfyes për punën e mëtejme, opozita e cilëson atë si shqetësues.

Udhëheqësit më të lartë e morën sot edhe zyrtarisht raportin nga Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, i cili tha se raporti është shprehje e përkushtimit të Bashkimit Evropian për integrimin e vendeve të rajonit.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi thanë se raporti paraqet situatën reale në vend, ndërsa veçuan vendimin për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.

“E përshëndes nismën e dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tim, si një përkushtim se Kosova dhe populli i saj, si pjesë e civilizimit evropian, nuk janë të izoluar dhe se rinia e Kosovës ashtu si edhe rinia e gjithë Evropës, mund të lëvizë lirshëm, të komunikojë, të shkollohet e të aftësohet duke qenë pjesë e rrjetit të përbashkët dhe e interakcionit”, tha presidentja Jahjaga.

“Kjo dhe progresi që do të arrihet, paraqesin një avancim të procesit të integrimit evropian dhe njohje të punës që është bërë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë drejtim”, tha kryeministri Thaçi.

Ndonëse nuk u ndalën shumë në gjetjet e raportit, kryeministri Thaçi tha se të gjitha çështjet e ngritura në të, do të jenë udhërrëfyes për punën e Qeverisë së Kosovës. Ai tha se deri në fund të vitit, do të themelohet një Këshill Kombëtar për Integrime Evropiane, i cili do të hartojë një strategji afatgjate për proceset integruese.

Partitë në opozitë janë shprehur të shqetësuara me gjetjet e raportit, duke vënë theksin tek shqetësimet në fushën e sundimit të ligjit, të cilat siç thuhet po e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë dhe po e ngadalësojnë rrugën e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq në një debat për këtë raport, publicisti Veton Surroi, kryetar i Klubit për Politike të Jashtme tha se Kosova ka ndihmuar që nëpërmjet bisedimeve Serbia të propozohet si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, çështja është se cilat janë përfitimet e Kosovës.

“Për dallim prej Kosovës, e cila do të merret me liberalizim të vizave si një proces në dy vitet e ardhshme, Serbia gjatë këtij dhjetë vjetëshi do të negocioj aderimin në Bashkimin Evropian. Distanca në mes këtyre dy shteteve do të rritet. Distanca në mes Kosovës e Serbisë karshi Bashkimit Evropian do të rritet”, tha zoti Surroi.

Bisedimet ndërmjet të dyja palëve të cilat filluan në mars të këtij vitit, u ndërprenë pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, ku banorët serbë po mbajnë të bllokuara rrugët në kundërshtim të vendosjes së doganave të Kosovës në kufirin verior me Serbinë. Beogradi e quan të pakuptimtë vazhdimin e bisedimeve teknike pa zgjidhjen e situatës në veri, ndërsa Prishtina hedh poshtë mundësinë që të bisedojë me Beogradin për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

XS
SM
MD
LG