Lidhje

Kosovë: Festivali i komuniteteve rome, ashkalinj e egjiptas


Festivali ka për qëllim përmirësimin e gjendjes social-ekonomike, lehtësimin e qasjes në arsim dhe promovimin e trashëgimisë së tyre kulturore

Në Kosovë, me veprimtari të shumta po mbahet festivali i komuniteteve Rome, Ashkalinj e Egjiptas. Organizatorët thonë se festivali ka për qëllim përmirësimin e gjendjes social-ekonomike, lehtësimin e qasjes në arsim dhe promovimin e trashëgimisë e tyre kulturore.

Shumë të rinj nga komunitetet Rom, Ashkalinj e Egjiptas, ndoqën mbrëmë në Prishtinë koncertin e yllit të muzikës rome, Esma Rexhepova.

Koncerti i saj ishte pjesë e shumë veprimtarive që po zhvillohen në Kosovë, në kuadër të Festivalit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve, i mbështetur nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, i cili ka për qëllim përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike dhe mirëqenien e këtyre komuniteteve, lehtësimin e qasjes në arsim dhe promovimin e trashëgimisë së tyre kulturore.

Gjendja e komuniteteve në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00
Direct link
Përfaqësues të këtyre komuniteti numërojnë disa nga sfidat me të cilat përballen ata siç janë shkalla e lartë e varfërisë, integrimi në institucione dhe mungesa e arsimit të përshtatshëm.

Bajrush Berisha, nga komuna e Obiliqit, afër Prishtinës, thotë se një nga problemet e këtyre komuniteteve është integrimi në jetën institucionale të vendit.

“Edhe komunitetet Ashkalinj e Egjiptas janë pjesë përbërëse, shtet rezervë nuk kanë. Kanë pranuar realitetin e ri të Kosovës dhe shpresoj që një ditë pas zgjedhjeve të ardhshme, që komunitetit Ashkalinj e Egjiptas ta ketë vendin e merituar sipas kontributit që kanë dhënë”, tha zoti Berisha.

Enver Fazliu, përfaqësues i komunitetit Egjiptas, numëron disa nga problemet me të cilat përballet ky komunitet.

“Komuniteti jonë përballet me shumë vështirësi. Të ardhura nuk kanë, ndihma sociale dikush e merr e dikush jo”, tha zoti Fazliu.

Ndërkaq, autoritetet në Kosovë thonë se janë të përkushtuara për përmirësimin e gjendjes së këtyre komuniteteve, i cili edhe më tej përballet me sfida të mëdha. Kosova ka hartuar një strategji për integrimin e këtyre komuniteteve, nga viti 2009 deri vitin 2015.

Habit Hajredini, nga zyra e kryeministrit për qeverisje të mirë, thotë se me gjithë sfidat e mëdha që ka zbatimi i kësaj strategjie, ajo do të përmirësojë dukshëm gjendjen e tyre.

"Dhe ne shohim një përparim, do të thotë pas raporteve dhe vlerësimeve që ne i kemi bërë si institucione duke u nisur nga aspekti i monitorimit, fillimisht kemi krijuar struktura që e monitorojnë këtë proces që fusin në bashkërendim punën e përbashkët dhe në aspektin e çështjes së arsimimit ne veç kemi zhvilluar kutikulat në gjuhën rome, pastaj jepen bursa në mënyrë që të avancohen dhe për të ngritur sa më shumë çështjen e edukimit dhe në fusha tjera specifike duke përfshirë shëndetësinë, kthimin dhe ndërtimin e shtëpive, domethënë ka lëvizja shumë të mira në këtë drejtim”, tha zoti Hajredini.

Muhamet Arifi, udhëheqës i organizatës për ndihmë refugjatëve “Balkan Sunfloëers Kosova”, thotë se gjendja e këtyre komuniteteve është mjaft e rëndë.

“Nëntëdhjetë për qind e tyre nuk punon. Duke marr parasysh një hulumtim që kemi bërë rreth edukimit prej vitit 1940 e deri më sot, më shumë se tetëdhjetë për qind nuk e kanë kryer shkollën fillore. Nuk punojnë as në nivele komunale e as ministrore. Shumica e tyre jetojnë prej ndihmës sociale dhe prej riciklimit të mbeturinave. Problem tjetër i madh është kthimi i tyre nga vendet perëndimore. Kthehen në një familje ku askush nuk mund të dërgoj më mjete financiare”, tha zoti Arifi.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se gjendja e pakicave kombëtare ka shënuar përparim mirëpo, gjendja më e rëndë është e pakicave Rom, Ashkalinj e Egjiptas, të cilat ndonëse janë shprehur të gatshme të integrohen nuk kanë pasur ofertë të mjaftueshme për një gjë të tillë.

“E dimë shumë mirë që në pozitën e vendimmarrjes pjesëtarët e komunitetit Rom, Ashkalinj e Egjiptas janë të përfshirë vetëm simbolikisht, ndërkaq përfshirja në vendimmarrje është përcaktuese për proceset tjera, për afirmimin e tyre kulturor, për përfshirjen në shkollim, në shërbimet shëndetësore, punësim. Pra, mendoj se është një ngecje, ka plane ka strategji mirëpo, prej asaj se çka shkruhet aty deri te zbatimi është një hendek shumë i madh dhe mendoj se edhe më tutje këto komunitete mbesin të diskriminuara”, tha zoti Shala.

Organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje vazhdimisht për përmirësimin e gjendjes së këtyre komuniteteve të cilat siç thuhet duhet të angazhohen edhe vet në procesin e integrimit.​
XS
SM
MD
LG