Lidhje

Kosovë: Rritja e çmimeve shqetësim për konsumatorët vendas

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Kosovë: Rritja e çmimeve shqetësim për konsumatorët vendas

Kosovë: Rritja e çmimeve shqetësim për konsumatorët vendas

Nga korriku i këtij viti çmimi i bukës dhe drithërave në Kosovë është rritur për 22.5 për qind, duke shtuar shqetësimin për thellimin e shkallës edhe ashtu të lartë të varfërisë në vend. Ekspertë të ekonomisë kanë ngritur shqetësimin se vazhdimi i rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë në radhë të parë do mund të nxisë një krizë të madhe ekonomike dhe sociale në vend.

Zyrtarë të Entit të Statistikave të Kosovës thonë se rritja e çmimeve është pasojë e zhvillimeve në shkallë botërore, për çka kanë dhënë alarmin edhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Ilir Berisha, Drejtor i departamentit të statistikave dhe llogarive kombëtare në Entin e Statistikave të Kosovës thotë se në muajt e ardhshëm pritet të ketë një stabilizim të çmimeve në tregun e brendshëm.

“Presim një stabilizim të këtyre çmimeve dhe në muajt e ardhshëm presim një rikthim të gjendjes së mëparshme. Edhe pse prej muajit dhjetor 2009 ka një lëvizje, por lëvizjet pozitive në ngritjen e çmimeve janë kufijtë e një ekonomie reale dhe stabile që nuk tregon ndonjë ç’rregullim ekonomik që ka ndodh në atë vend”, thotë zoti Berisha

Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, thotë se gjendja e re e krijuar kërkon edhe hapa emergjent për shmangien e krizës së mundshme.

“Duhet të stimulohet diaspora që të jetë më dorë lirë në përkrahje të familjeve në Kosovë, duhet të investohet në projekte të cilat do të krijojnë vende të reja të punës dhe ato do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sensibilizimin e pasojave të kësaj krize, duhet bërë më tepër që të ketë stimulim për investues të huaj dhe kuptohet duhet të gjinden forma stimuluese për sektorin agrar që të paktën vitin tjetër të ketë një prioritet, të ketë forma të subvencioneve dhe në këtë mënyrë të dalim nga një geto jo vetëm në Kosovë por ndoshta të kontribuojmë që edhe rajoni të ketë një stabilitet më të mirë në çmime. Por është shumë e vështirë të ballafaqohemi me ngritjen e çmimeve, karakteristikë e kësaj ngritjeje është se kur fillojnë të ngritën shumë më shpejt ngritën ato çmime se sa që ulën, me të vërtet do të jetë një sfidë në të cilën popullata do të ballafaqohet në të ardhmen”, thotë zoti Gërxhaliu

Ekspertë të ekonomisë tërheqin vërejtjen se rritja e çmimeve të bukës, bashkë më rritjen e çmimeve të mallrave të tjera të domosdoshme mund të ndikojnë në gjendjen e rëndë të popullsisë së vendit që përballet me shkallë të lartë të papunësisë e që ka kushtëzuar edhe një shkallë të lartë të varfërisë, duke bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër në Evropë.

XS
SM
MD
LG