Lidhje

Kosovë: Rrugët në veriun e vendit ende janë të bllokuara

  • Leonat Shehu

Kosovë: Rrugët në veriun e vendit ende janë të bllokuara

Kosovë: Rrugët në veriun e vendit ende janë të bllokuara

Protestues serbë në veriun e Kosovës, vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës, edhe pasi që forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja arritën një marrëveshje mirëkuptimi me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë, për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore pritet që sot në mbrëmje të takohen me Presidentin e Serbisë Boris Tadic, për të diskutuar marrëveshjen e arritur për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës.

Sipas kësaj marrëveshjeje që nuk është nënshkruar nga askush, vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës do të mbeten nën kontrollin e KFOR-it deri nga mesi i muajit shtator, kur pritet rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Institucionet në Prishtinë e mirëpritën marrëveshjen e mirëkuptimit, duke e quajtur si një nga arritjet më të mëdha të institucioneve të Kosovës, ndërkaq zyrtarë të qeverisë së Serbisë thonë se marrëveshja ka shumë mangësi por ajo krijon hapësirë për zgjidhjen paqësore të problemeve.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan më 25 korrik një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Përfaqësuesit e Beogradit kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme një kërkesë kjo që është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG