Lidhje

Prokuroria kërkon dënimin – mbrojtja pafajësinë e Haradinajt


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, dy vjet më pas u kthye për një rigjykim të pjesshëm


Prokurorët e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, kërkuan që ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të dënohet me të paktën 20 vjet heqje lirie, lidhur me akuzat për krime lufte. Mbrojtja e tij kërkon pafajësinë e plotë.

Këto kërkesa u bënë në ditën e parë të paraqitjes së argumenteve mbyllëse në gjyqin ndaj Ramush Haradinajt.

Prokurori Pol Roxhers kërkoi që zoti Haradinaj të dënohet me të paktën 20 vjet heqje lirie, ndërsa avokati mbrojtës, Ben Emerson, i bëri thirrje gjykatës që të ta shpallë zotin Haradinaj të pafajshëm në atë që njihet si rasti më i gjatë në historinë e kësaj gjykate.

Ai tha se “zoti Haradinaj është i pafajshëm jo vetëm pse prokuroria ka dështuar të provojë rastin, por se është i pafajshëm në kuptimin e plotë të fjalës".

Gjatë të martës, pritet të vazhdojë fjala përfundimtare e avokatëve mbrojtës. Ende nuk është e qartë se kur mund të shpallet vendimi përfundimtar i gjykatës.

Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Kërkesa e sotme e prokurorisë për të paktën 20 vjet heqje, lirie është bërë për të tre të akuzuarit.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat, për siç thuhet, trajtim mizor dhe torturë.

Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 19 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
XS
SM
MD
LG