Lidhje

Kosovë: Seminar ndërkombëtar i gjuhës, letërsisë dhe kulturës

  • Leonat Shehu

Kosovë: Seminar ndërkombëtar i gjuhës, letërsisë dhe kulturës

Kosovë: Seminar ndërkombëtar i gjuhës, letërsisë dhe kulturës

Mbi 120 studiues nga shumë vende të botës, të tillë që duan të mësojnë gjuhën shqipe, që merren me përkthime e hulumtime në fushën e albanologjisë po marrin pjesë në Seminarin e 30-të me radhë mbi gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare. Drejtuesit e tij thonë se seminari është një ngjarje e rëndësishme shkencore e kulturore për Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan, ndërsa është bërë pjesë e pandashme e jetës shkencore e politike të Kosovës.=

Drejtori i seminarit, Bardh Rugova thotë se interesimi për pjesëmarrje është gjithnjë e më i lartë në këtë veprimtari që për një kohë të gjatë ishte cilësuar si një ngjarje shkencore dhe kulturore me dimension kombëtar e madje patriotik...

”Ne me mburrje mund të themi se Albanologjia është në duart të mira sepse kemi një numër të madh të studiuesve të rinj në moshë , rreth moshës tridhjetë vjeçare të cilët gradualisht janë duke u shëndruar ose duke e nxënë vendin e autoriteteve të njohura të cilët i njihnim në vitet e shtatëdhjeta, tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta”, thotë ai.

Zoti Rugova thotë se në këtë seminar do të trajtohen dy tema.

“Sivjet kemi zgjedhur që në seksionin shkencor të gjuhësisë të trajtojmë temën e gramatikës shqipe në tekstet shkollore, do të thotë të bëjmë një rilexim të tyre, një lexim kritik të tyre në mënyrë që të shohim mundësitë eventuale për përmisimin, ndryshimin ose plotësimin me drejtimet e reja të gjuhësisë përgjithësisht. Ndërsa në fushën e letërsisë, kemi zgjedhur temën letërsia shqipe e diasporës duke pasur parasysh se një pjesë shumë e madhe e letërsisë shqiptare është ajo e realizuar në diasporë. Kur themi diasporë duhet të bëjmë një dallim themelor, diasporë kemi parasysh ngulimet dhe jo mërgimin, njerëz të zakonshëm të cilët kanë shkuar jashtë vendlindjes dhe kanë vepruar atje, por letërsi e cila është krijuar në ngulimet, për shembull te Arbëreshët e Greqisë, Arbëreshët e Italisë, në Ukrainë, etj”, thotë ai.

Zoti Rugova thotë se seminari mbi gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare ka krijuar albanologë të shquar në të gjithë botën.

“Pjesa më e madhe e Albanologëve të shquar janë nxënës të këtij seminari, pjesëmarrës nëpër vite të ndryshme të këtij seminari. Shefat e departamenteve kudo që mësohet gjuha shqipe në botë janë njerëz të cilët kanë kaluar nëpër këtë seminar. Domethënë punimet, studimet të cilat bëhen jashtë Kosovës dhe Shqipërisë janë nga njerëz që kanë kaluar nëpër këtë seminar”, thotë zoti Rugova

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe është mbajtur rregullisht deri në vitin 1991 kur është ndërprerë nga autoritetet serbe. Ne vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë, ndërsa nga viti 2000, seminari është rikthyer në Prishtinë. Studiuesit e çmojnë atë si një ndër projektet më frytdhënëse për zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

XS
SM
MD
LG