Lidhje

Serbët e veriut në referendum për institucionet e Prishtinës


Serbët e veriut në referendum për institucionet e Prishtinës

Serbët e veriut në referendum për institucionet e Prishtinës

Në veriun e Kosovës sot ka filluar referendumi dyditësh i organizuar nga përfaqësuesit lokal nëpërmjet të cilit qytetarët serb do të deklarohen nëse pranojnë apo jo institucionet e Prishtinës. Sot po votohet në tri komuna veriore, Mitrovicë, Zubin Potok dhe Zveçan, ndërsa për nesër është paralajmëruar votimi në komunën e Leposaviqit. Përfaqësuesit lokal thanë se referendumi po zhvillohet në 85 qendra votimi ku të drejtë votë kanë rreth 35 mijë qytetarë. Organizatorët e referendumit u takojnë kryesisht partive politike opozitare në Serbi të cilat aspirojnë afrimin me Rusinë e cila mbështetë kundërshtimin serb ndaj pavarësisë së Kosovës. Referendumi shihet si një përpjekje e serbëve ne veri për shkëputjen e asaj pjese nga Kosova dhe bashkimin me Serbinë, me gjithë kundërshtimin e komunitetit ndërkombëtarë i cili ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes. Kryetari i komunës së Mitrovicës nga strukturat e mbështetura nga Beogradi, Krstimir Pantiç tha se referendumi do të ndryshojë qasjen e komunitetit ndërkombëtarë ndaj Kosovës.

Ndryshe nga shqiptarët e Kosovës që për përmbushjen e synimeve të tyre shfrytëzojnë dhunën dhe armët, arma jonë e vetme sot dhe çdo herë në të ardhmen do të jetë lapsi. Qytetarët duhet të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të marrin përgjegjësinë për fatin e tyre”, tha ai duke e cilësuar me rëndësi historike referendumin në veri.

Qeveria e Kosovës: Referendumi – dëshmi e ambicjes së sëmurë të Serbisë

Referendumi cilësohet si i paligjshëm nga Prishtina zyrtare. Në një komunikatë për opinion, qeveria e Kosovës shpreh “zhgënjimin dhe revoltën e saj të thellë për aktin e fundit të Serbisë lidhur me organizimin dhe mbajtjen e referendumit në pjesën veriore të vendit tonë. Ky akt ilegal i cili do të prodhoj një rezultat ilegal dhe të papranueshëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë cenon sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Po ashtu, ky veprim ilegal i Serbisë është në kundërshtim më Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare. Për me tepër, ky akt i fundit i Serbisë kundër Kosovës, dëshmon qartë ambiciet e sëmura dhe pretendimet territoriale të Serbisë në raport me Kosovën”, thuhet në komunikatë.

Qeveria i i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar “që të ushtrojë trysni tek Serbia që t’u jap fund akteve të tilla ilegale të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë cenojnë integritetin territorial të shtetit tonë të pranuar ndërkombëtarisht. Aktet e tilla ilegale dhe të papërgjegjshme të Serbisë nuk i shërbejnë në asnjë mënyrë avancimit të agjendës euro-atlanike dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Referendumi cilësohet i paligjshëm edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët thanë se rezultatet e tij nuk do të njihen as nga Bashkimi Evropian, as nga Kombet e Bashkuara.

Kundër referendumit është shprehur edhe presidenti serb Boris Tadiç, i cili e ka cilësuar atë të dëmshëm për përpjekjet e Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai ka theksuar se referendumi dëmton edhe synimet e tij për të çuar përpara planin e tij katër pikësh, që synon të sigurojë një status të veçantë për veriun e Kosovës, një plan që është hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.

Autoritetet e pushtetit në Serbi druajnë se referendumi mund të dëmtojë përpjekjet e Beogradit për të siguruar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Serbia dështoi të marrë këtë status në dhjetor të vitit të kaluar për shkak të situatës në veriun e Kosovës, ku serbët po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Përleshjet e serbëve më trupat e NATO-s, gjatë të cilave u plagosën dhjetëra pjesëtarë të forcave paqeruajtëse, nxitën zemërimin e Gjermanisë e cila bllokoi kandidaturën e Serbisë duke kërkuar prej saj shpërbërjen e strukturave paralele në veriun e Kosovës. Bashkimi Evropian do të diskutojë në fund të këtij muaji kandidaturën e Serbisë, ndërsa kusht mbetet edhe rifillimi i bisedimeve me Kosovën, të cilat kanë ngecur për shkak të mospajtimeve rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Serbia ngulë këmbë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Prishtina hedh poshtë një gjë të tillë.

Jahjaga: Kosova të përfaqësohet ashti siç është njohur nga 87 vende të botës

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Robert Cooper takoi sot presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe shefen e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri, në përpjekje për të siguruar një kompromis që do të mundësonte vazhdimin e bisedimeve. Asnjëri prej tyre nuk ka folur për mediat, ndërsa është thënë se kompromisi i propozuar është që Kosova të shfaqet në forumet rajonale me një shënim që do të përfshinte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë e cila në korrik të vitit 2010 përfundoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjet ndërkombëtare.

Në një komunikatë të zyrës së presidentes Jahjaga thuhet se ajo ka theksuar se “dialogu në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, nuk po zhvillohet për statusin e Kosovës por për çështje teknike, të interesit të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe adreson çështje konkrete”. Sipas saj, “përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie dypalëshe, si shtet sovran dhe i pavarur”.

Disa pjesëtarë të lëvizjes Vetëvendosje u arrestuan gjatë kohës sa zoti Cooper ishte ne takime, derisa po shkruanin në muret e qeverisë parullën Kosova Republikë në shenjë kundërshtimi ndaj çdo kompromisi që do të nënkuptonte heqjen e fjalës “Republikë” nga përfaqësimi i Kosovës në forumet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG