Lidhje

Kosovë: Serbët në veri refuzojnë thirrjet për zhbllokimin e rrugëve


Kosovë: Serbët në veri refuzojnë thirrjet për zhbllokimin e rrugëve
Kosovë: Serbët në veri refuzojnë thirrjet për zhbllokimin e rrugëve

Serbët në veriun e Kosovës refuzuan thirrjet e KFOR-it për të hequr barrikadat e ngritura në rrugët kryesore në atë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Trupat e NATO-s kishin caktuar ditën e sotme si afat për zhbllokimin e rrugëve. Në një njoftim të KFOR-it thuhet se në orët e paradites, dy autokolona u nisën për të furnizuar trupat e KFOR-it në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe në Bërnjak nëpërmjet rrugëve në veri të Kosovës. Qëllimi i Komandantit të KFOR-it ishte të provonte lirinë e lëvizjes në përputhje me kërkesën për largimin e barrikadave.

Por, protestuesit serbë u mblodhën në afërsi të barrikadave për të kundërshtuan heqjen e tyre. Përfaqësuesit e serbëve i kanë kërkuar KFOR-it që të presë deri nesër kur ata kanë në plan të mblidhen për të diskutuar kapërcimin e situatës. Ata thanë se nuk do të kundërpërgjigjen me dhunë nëse KFOR-i vendos të largojë me forcë barrikadat por paralajmëruan se do ngrejnë bllokada të reja.

Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Drews është shprehur i zhgënjyer me faktin se qytetarët në veri nuk e kaluan provën.

Që nga 16 shtatori, forcat e NATO-s kanë dërguar me helikopterë doganierët e EULEX-it dhe të Kosovës në vendkalimet kufitare, po ashtu edhe furnizimet e ushtarëve janë bërë në rrugë të njëjtë.

Ushtarakët e NATO-s nuk deshën të komentojnë nëse do të ndërhyjnë për heqjen e barrikadave, por përsëritën se liria e lëvizjes duhet të rivendoset në veri. Në një njoftim për shtypin thuhet se misioni i KFOR-it është të ruajë një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës nga të gjitha komunitetet. KFOR –i do të vazhdojë ta bëjë këtë fuqishëm, me kujdes dhe me paanshmëri në pajtim të plotë me mandatin e tij, thuhet ne njoftim.

Një përpjekje për largimin e barrikadave muajin e kaluar, çoi në përleshje të dhunshme që lanë të paktën 11 të plagosur, nga të cilët katër pjesëtarë të forcave paqeruajtëse.

Beogradi, i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon që në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të përfshihet statusi i vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Prishtina refuzon të diskutojë me Beogradin për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Mospajtimet çuan në ndërprerjen e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, vazhdimi i të cilave është vënë si kusht nga Komisioni Evropian për fillimin dialogut me Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG