Lidhje

Kosovë: Serbët vendosin kushte për lëvizjen e lirë në veri

  • Leonat Shehu

Kosovë: Serbët vendosin kushte për lëvizjen e lirë në veri

Kosovë: Serbët vendosin kushte për lëvizjen e lirë në veri

Përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore të Kosovës thanë se janë të gatshëm të bëjnë largimin e pjesshëm të barrikadave për të lejuar lëvizjen e forcave paqeruajtëse, por kanë vënë kushte për lëvizjen e trupave të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë.

Ata thanë sot se kanë kërkuar garanci nga EULEX-i që nëpër të njëjtat rrugë të mos transportohen edhe doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës.

Këto komente u bënë pas një takimi që u zhvillua në Zveçan në mes të përfaqësuesve të serbëve në veri, lidhur me mundësinë e zhbllokimit të rrugëve për lëvizjen e lirë të autoriteteve ndërkombëtare të sigurisë.

Ata thanë se barrikadat nuk do të largohen, por janë të gatshëm të lejojnë lëvizjen e lirë për trupat e NATO-s. Takimi i sotëm pasoi një takim të përfaqësuesve serb me presidentin e Serbisë Boris Tadic, i cili kishte kërkuar prej tyre zhbllokimin e rrugëve për misionet ndërkombëtare në Kosovë.

Përfaqësuesit e serbëve në veri thanë se i kanë dërguar një ftesë komandantit të KFOR-it, Erhard Drews, për të rifilluar bisedimet, për siç thuhet, gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë të mundshme për lëvizjen e lirë të forcave paqeruajtëse. Ata thanë se barrikadat në rrugë nuk janë të drejtuara kundër misioneve ndërkombëtare, por janë kundër institucioneve të Prishtinës.

Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë kanë kërkuar që liria e lëvizjes të rivendoset shumë shpejt, sepse kjo është në të mirën e popullatës lokale dhe pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Zyrtarë të KFOR-it thanë sot se për këtë mision nuk është i pranueshëm asnjë kusht në lidhje me lirinë e lëvizjes dhe se kjo duhet të arrihet për secilin.

Edhe, zyrtarë të misionit të EULEX-it, thanë se qëndrimi i këtij misioni është i njëjtë me atë të forcave paqeruajtëse, që në veri të Kosovës duhet të rivendoset liria e lëvizjes për të gjithë pa dallime.

Gjendja në veriun e banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë e tensionuar ndërsa protestuesit serb vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës, me gjithë përpjekjet e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për zhbllokimin e rrugëve.

XS
SM
MD
LG