Lidhje

Serbia bëhet me qeveri të re


Ivica Daçiç, ish zëdhënës i presidentit serb, Slobodan Millosheviç, sot edhe zyrtarisht mori postin e kryeministrit të ri të Serbisë e njëkohësisht të ministrit të brendshëm.

Parlamenti i Serbisë me 142 vota për e 72 kundër miratoi përbërjen e re të qeverisë serbe të përbërë nga Partia Përparimtare e presidentit aktual Tomislav Nikoliç, Partisë Socialiste dhe disa partive më të vogla të mbledhura rreth saj. Serbia formoi qeverinë e re më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, ndërsa përbërja e saj, është e ngjashme me atë të periudhës së luftës në Kosovë.



Në paraqitjen e tij para Parlamentit, kryeministri serb tha se Serbia do të orientohet kah e ardhmja dhe jo e kaluara, ndërsa mbështet pajtimin në rajon, vendosjen e marrëdhënieve më të mira me fqinjët, respektimin e Marrëveshjes së Daytonit dhe forcimin e marrëdhënieve me Republikën Serbe.

Pjesë e betimit të qeverisë së re ishte edhe zotimi për siç thuhet, ruajtjen e Kosovës brenda Republikës së Serbisë. Kryeministri serb tha se do të përshpejtohet integrimi evropian i Serbisë, e cila nuk do të të njohë Kosovën, por “do të zbatojë marrëveshjet e arritura në bisedimet me Prishtinën”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur shtatë marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për menaxhimin e përbashkët të kufirit dhe përfaqësimit rajonal të Kosovës.

Por, zbatimi i tyre është ende i pjesshëm. Që nga e enjtja, grupe serbësh kanë ngritur një barrikadë të re në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri për të mos lejuar siç thuhet, zhdoganimin e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë thonë se përparimi i Serbisë drejt integrimeve evropiane varet nga qasja e saj ndaj Kosovës, pavarësinë e së cilës e kanë njohur mbi 90 vende të botës. Serbisë nuk i është kërkuar prerazi njohja e Kosovës, por të heq dorë nga kontrolli në veriun e Kosovës, të mos pengojë zhvillimin e saj dhe të vazhdojë bisedimet për zgjidhjen e çështjeve të interesit të përbashkët që ndikojnë në jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.

Autoritetet në Kosovë janë shprehur të gatshme të vazhdojnë bisedimet por vetëm pas zbatimit të marrëveshjeve të deritashme. Po ashtu, në Prishtinë thuhet se përbërja aktuale e pushtetit në Serbi, do të duhej të distancohej nga e trashëgimia e saj.
XS
SM
MD
LG